Plani duhet të jetë dukur aq i mirë për Todd Boehlyn. Pas blerjes së Chelseat për 2.5 miliardë dollarë, ai kishte kërkuar një trajner vizionar për projekt afatgjatë dhe shpenzoi 630 milionë dollarë në përforcime në dy afatet e fundit kalimtare.
Pas këtyre punëve, Boehly ishte i bindur se vetëm do të ulej dhe do t’i shijonte sukseset si pronar i Chelseat. Mirëpo gjërat nuk kanë funksionuar sipas planit të tij. Boehly, biznesmeni amerikan pa përvojë të mëparshme në futboll, po mëson rrugën e vështirë në vitin e tij të parë si fytyra e liderit të ri të Chelseat. Aktualisht Chelsea është në pozitën e 11-të në Premier League dhe pa trajner, pasi Graham Potter, që kishte nënshkruar kontratë pesëvjeçare për ta zëvendësuar Thomas Tuchelin, u shkarkua të dielën pas më pak se shtatë muajve në pozitë.
Kështu që Boehly përfundimisht ka përjetuar një fillim të vështirë te Chelsea, të cilin nuk e ka parashikuar për asnjë moment. Paratë që i ka investuar në klub në ditët e para janë marramendëse. Përveç shpenzimeve në transferime - 280 milionë dollarë në verë dhe më pas 350 milionë dollarë në janar - Chelsea pagoi një kompensim prej 26.5 milionë dollarësh për Brightonin që ta lirojë Potterin. Po ashtu, pagoi dëmshpërblim prej 16 milionë dollarësh për Tuchelin dhe tani ka për të shlyer katër vite e gjysmë të mbetura në kontratën e Potterit. Pastaj është kohëzgjatja e kontratave të dhëna për shumë prej lojtarëve të ri të skuadrës, si Enzo Fernandez dhe Mykhailo Mudryk, të cilët nënshkruan marrëveshje tetëvjeçare.
Chelsea gjithashtu do të humbë të paktën 80 milionë euro që zakonisht i fiton çdo sezon nga paraqitja në Ligën e Kampionëve, nëse nuk arrin të kualifikohet në këtë garë evropiane, gjë që duket gjithnjë e më e mundshme. Duke pasur parasysh pozicionin në ligë, fitimi i Ligës së Kampionëve duket si rruga e vetme e kthimit në këtë garë. Kundërshtari i Chelseat në çerekfinale është kampioni në fuqi, Real Madridi, me Bayern Munichun ose Manchester Cityt që presin në gjysmëfinale.
Boehly nuk mund të priste të ishte në këtë pozicion 10 muaj më parë, kur përballej me marrjen e një klubi që në atë kohë ishte ende kampion i Evropës. Fillimi i egër i kohës së tij në Londër nuk ka mbaruar. Përveç nevojës për të marrë një trajner të ri, Chelsea ndoshta kërkon një shitje të lojtarëve në fund të sezonit për të ulur faturën e pagave, ndërkohë që ka vendime të mëdha që duhen marrë për disa lojtarë të profilit të lartë si Romelu Lukaku, N’Golo Kante, Kalidou Koulibaly, Raheem Sterling e Pierre-Emerick Aubameyang. Pritet që edhe Hakim Ziyech të largohet në verë pasi transferimi i tij te Paris Saint-Germaini dështoi në momentet e fundit gjatë afatit kalimtar të janarit. Shumë gjëra do të varen nga zëvendësuesi i Potterit dhe vizioni i tij.
Boehly me siguri do të vendosë për një trajner të dëshmuar këtë herë, trajner me përvojë në drejtimin e një klubi elitar. Por kur bëhet fjalë për Boehlyn, tifozët duhet të jenë gati për të papritura.