Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nuk ka pushim për Pochettinon ndërsa Chelsea përballet me verën vendimtare

Shumica e trajnerëve do të marrin disa javë pushim përpara se të nisin të zbatojnë planet për edicionin e ardhshëm në Premier League. Por për trajnerin e ri të Chelseat, Mauricio Pochettino, puna nis menjëherë.

Kur argjentinasi të futet në zyrën e tij në kompleksin stërvitor të Chelseat, ai do ta gjejë një listë të gjatë në tavolinë. Përfundimi i Chelseat në vendin e 12-të në Premier League ishte plasmani më i keq që nga viti 1994 dhe kjo nuk është kapërdirë lehtë nga bashkëpronarët e rinj të klubit, Todd Boehly dhe Behdad Eghbali, që erdhën në “Stamford Bridge” pas rënies së papritur të perandorisë së Roman Abramovichit. Klubi londinez ka shpenzuar mbi 600 milionë euro në përforcime për të krijuar një ekip konkurrent. Por ekipi i formuar nuk ka arritur ta dëshmojë veten në fushë. Rezultatet ishin aq dëshpëruese saqë dy trajnerë u shkarkuan këtë edicion, Thomas Tuchel në shtator dhe Grahman Potter, i cili nuk mbijetoi më shumë se 31 ndeshje. Legjenda e klubit, Frank Lampard, u angazhua si trajner i përkohshëm deri në fund të edicionit që u mbyll vikendin e shkuar. Ai regjistroi vetëm një fitore në nëntë ndeshje kampionale.

“Askush te Chelsea nuk po e fajëson Lampardin, por pritjet janë të mëdha nga Pochettino për edicionin e ri. Krerët e Chelseat besojnë se angazhimi i Pochettinos thjesht duhet të ketë efekt duke pasur parasysh përvojën e tij në Premier League”, ka shkruar “Daily Mail” të martën.

Pochettino do ta ketë një verë të vështirë pasi duhet ta rikthejë Chelsean në majë të futbollit anglez dhe ta sfidojë Manchester Cityn, Arsenalin, Manchester Unitedin dhe Newcastlen për titullin e kampionit. Pochettino në Angli e ka udhëhequr Southamptonin e Tottenhamin, ndërsa së fundmi ishte në krye të Paris Saint-Germainit. Pochettino do ta ketë fokusin në kampionat për shkak se Chelsea në edicionin e ri nuk do të paraqitet në asnjë garë të UEFA-s.

Pochettino është i njohur për punën e tij, por te Chelsea duhet të kujdeset edhe për uljen e shpenzimeve, duke marrë vendime për largimin e disa lojtarëve dhe afrimin e të tjerëve. Pochettino njihet për lojën e tij me presion në tërë fushën dhe Chelsea pritet të përshtatet në këtë mënyrë të lojës. Edhe pse shpenzoi shumë para, Chelsea ka dështuar të sigurojë një top-sulmues ndërsa nuk ka gjetur as zëvendësuesin ideal për qendërmbrojtësin Antonio Ruediger. Mesfushori defensiv, N’Golo Kante nuk është më forca që ishte, për shkak të lëndimeve të shumta, ndërsa Mason Mount tashmë ka kërkuar largimin nga klubi.

Pochettino duhet t’i fiksojë shumë gjëra, por gjithashtu të nxjerrë më të mirën nga mesfushori Enzo Fernandez, të cilin Chelsea e transferoi në janar për 125 milionë euro.

Edhe Pochettino thotë se Chelseat duhet t’i hiqet një titull Futboll Pochettino thotë se Chelseat duhet t’i hiqet një titull

“Pochettino e ka parasysh se çfarë sfide e pret kur ta fillojë punën te Chelsea, por ai është i gatshëm për një gjë të tillë. Pochettino do ta ketë kontrollin e plotë në ekip dhe do të vendos për largimet dhe përforcimet që do të bëhen gjatë verës. Kjo ishte edhe kërkesa e vetme e Pochettinos para se të pranonte ofertën e Chelseat”, ka shkruar “Daily Mail”.

Derisa te Chelsea janë të bindur se kanë siguruar trajnerin e duhur për t’i nxjerrë nga situata e vështirë në të cilën janë futur, Pochettino nuk ka më kohë për të humbur. Ai u zyrtarizua te Chelsea të hënën, ndërsa me klubin londinez ka firmosur kontratë dyvjeçare me opsionin e vazhdimit edhe për vitin e tretë.