Trajneri i Chelseat, Mauricio Pochettino, po e mbron pozicionin e padëshiruar të skuadrës së tij, si ekipi me më së shumti kartonë të verdhë në këtë edicion, në Premier League. Pochettino tha se 56 kartonët e verdhë për futbollistët e Chelseat, në 18 ndeshje kampionale nuk treguan mungesë disipline, por më tepër ishin për shkak të dëshirës së lojtarëve të tij, për të konkurruar me ekipet tjera për rezultate pozitive.
“Ne jemi në një klub të madh, ju ndjeni presionin”, tha Pochettino përpara ndeshjes së radhës të Chelseat, në ligë kundër Crystal Palace të mërkurën. “Kur je i frustruar dhe ndoshta nuk e ke përvojën e skuadrave të tjera, bën një gabim”.
Vetëm në ndeshjen e fundit ndaj Wolverhamptonit, të cilën Chelsea e humbi 2:1 në udhëtim të dielën, pesë futbollistë të ekipit londinez u ndëshkuan me kartonë të verdhë. Në mesin e tyre ishte edhe mesfushori ofensiv, Cole Palmer, i cili do të mungojë ndaj Palacet, për shkak të suspendimit, pasi ka grumbulluar pesë kartonë të verdhë. Gjithashtu, u ndëshkua edhe sulmuesi i krahut, Raheem Sterling për simulim, pasi në kohën shtesë kërkoi penallti ndaj Wolvesit.
“Palmer po luan për në edicionin e tij të parë, si lojtar titullar dhe është normale që ka tubuar pesë të verdhë. Lojtarët kujdesen, duan të fitojnë, janë të frustruar”, tha Pochettino. “Nuk është se ata nuk janë të disiplinuar, por ne si ekip duhet të kemi më shumë kapacitet për ta lexuar situatën e lojës”.
Chelsea ka parë tashmë pezullime për Reece James, Malo Gusto dhe Conor Gallagher, pasi u përjashtuan me të kuq në fillim të edicionit, ndërsa transferimi i verës Nicolas Jackson, ka vetëm dy kartonë të verdhë por që ishte i suspenduar në muajin shtator. Pochettino gjithashtu vuri në dukje dëmtimet, si një faktor kontribuues në betejat e përgjithshme të ekipit të tij, me të paktën tetë lojtarë, që nuk janë të gatshëm për përballjen me Crystal Palacen, që luhet në stadiumin “Stamford Bridge” prej orës 20:30 dhe i takon xhiros së 19-t të Premier Leagues.
“Jemi të shqetësuar me situatën e lojtarëve të lënduar, por stafi mjekësor po e bën të pamundurën, për t’i eliminuar këto probleme”, shtoi Pochettino.
Aktualisht, Chelsea ka tubuar vetëm 22 pikë dhe është shumë larg kreut të tabelës. E kjo situatë e shqetëson më shumë Pochettinon, sesa rekordi disiplinor i ekipit të tij.
“Ne jemi shumë larg nga objektivi. Objektivi ynë ishte të ishim në krye edhe nëse askush nuk do të kishte besim. Por, në rrethanat aktuale ne tani po luftojmë për gjëra të ndryshme”, pranoi Pochettino.
“Ne jemi Chelsea, historia jonë kërkon që ne të jemi në krye. Për momentin, duke qenë realistë, duhet ta përmirësojmë nivelin e lojës, nëse duam të fitojmë më shumë ndeshje”.
Trajneri nga Argjentina pret që Chelsea t’i fitojë dy ndeshjet e këtij viti, në mënyrë që vitin 2024, ta startojë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të fillojë ngjitjen graduale në tabelë.
“Duhet ta përfundojmë mirë këtë vit, duke fituar ndeshjen me Palacen dhe Lutonin, që e luajmë të shtunën. Pastaj, të fillojmë vitin e ri me rezultate pozitive dhe me ndjenjën se mund të shkojmë lart në tabelë”, u shpreh Pochettino.