Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Chelsea shkarkon trajnerin pas vetëm shtatë muajsh

Chelsea ka shkarkuar trajnerin Graham Potter pas vetëm shtatë muajsh. 
Skuadra londineze, që shpenzoi 330 milionë funte në afatin kalimtar të janarit, nuk ka vazhduar bashkëpunimin me trajnerin Potter, që në krye të skuadrës erdhi në vend të trajnerit tjetër të shkarkuar këtë edicion, Thomas Tuchel. 
Potter kishte ardhur në krye të skuadrës me marrëveshje pesëvjeçare, të vlefshme 12 milionë funte në vit. 
Megjithatë, ish-trajneri i Brightonit nuk i ka përmbushur pritshmëritë. 
Chelsea është në vendin e 11-të, ndërsa në ndeshjen e fundit pësoi disfatë në shtëpi 2:0 nga Aston Villa. 
Bruno Salter do të jetë në krye të “bluve” deri sa të emërohet trajneri i ri. 
“Chelsea njofton se Graham Potter është larguar nga klubi. Gjatë kohës me klubin, Potter na dërgoi deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve ku do të përballemi me Real Madridin.

Chelsea dëshiron që ta falënderoj atë për përkushtimin dhe kontributin, dhe i dëshiron më të mirën në të ardhmen. Bruno Saltor do të jetë në krye të skuadrës si trajner i përkohshëm”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Chelseat të dielën. 
Mauricio Pochettino, Julian Nagelsmann, Zinedine Zidane, Luis Enrique, Oliver Glasner dhe madje edhe Jose Mourinho, janë emrat kryesorë për ta zëvendësuar Potterin në krye të skuadrës londineze.