Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Transferimet e shtrenjta të Chelseat përballen me momentin e së vërtetës

Chelsea - Borussia Dortmund

Chelsea ka një mundësi të fundit për ta shpëtuar edicionin, kur Borussia Dortmundi viziton Londrën të martën mbrëma në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Në stadiumin “Stamford Bridge”, Chelsea luan ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales dhe pret që me përkrahjen e tifozëve vendës dhe kontributin e lojtarëve që i pagoi shtrenjtë për t’i transferuar, ta eliminojë Dortmundin në këtë fazë të Championsit. Megjithatë, misioni i skuadrës londineze nuk do të jetë aspak lehtë, pasi ndeshjen e parë e ka humbur në Gjermani me rezultatin 1:0.

Përkundër një investimi rekord prej mbi 600 milionë eurosh në përforcime, Chelsea nuk ka pasur paraqitje të mira këtë kampanjë. Renditet në pozitën e dhjetë në Premier League, ndërsa është eliminuar herët në të dy kupat vendëse nga Manchester City. Kështu që Championsi është mundësia e vetme për trajnerin Graham Potter, i cili nuk e ka të sigurt qëndrimin në krye të ekipit.

“Gjithmonë është mirë kur fiton dhe kur bëjmë një gjë të tillë, të gjithë janë të lumtur. Por duhet pasur parasysh se kemi një sfidë të vështirë përpara. E për ta tejkaluar këtë duhet të bëjmë një paraqitje fantastike ndaj një ekipi të fortë si Dortmundi”, është shprehur Potter të hënën në konferencën për shtyp. “Është një garë e rëndësishme dhe duam të avancojmë tutje. Pra, synimi mbetet të jemi në mesin e tetë ekipeve më të mira në Evropë edhe pse kemi një disavatantazh të vogël. Është Liga e Kampionëve dhe rasti i fundit që ta shpëtojmë këtë sezon”.

Vikendin e shkuar, Chelsea i dha fund serisë prej gjashtë ndeshjeve pa fitore, kur triumfoi 1:0 ndaj Leeds Unitedit. Por mënyra e fitores nuk arriti të shuante dyshimet se e ardhmja e Potterit mund të varet nga rezultati kundër Dortmundit.

Edhe Potter arrin pikën kritike si trajner i Chelseat, shkarkimi i tij kërkohet me peticion Sport Potter arrin pikën kritike si trajner i Chelseat, shkarkimi i tij kërkohet me peticion

Ekipi gjerman futet në fushë ndaj Chelseat pas një serie prej dhjetë fitoresh, e cila ka bërë që të ngjitet në krye të Bundesligës së bashku me Bayern Munichun. Ndërkohë, Chelsea mund të krenohet me vetëm tri fitore në 16 ndeshjet e fundit dhe problemi më i madh për ekipin nga Londra ka qenë shënimi i golave. Presioni është i madh edhe te përforcimet e reja, që sipas tifozëve ende nuk po e japin më të mirën. Rregullat e Ligës së Kampionëve nënkuptonin se vetëm tri nga nënshkrimet e janarit të Chelseat mund të regjistroheshin për fazat e eliminimit, ndërsa trajneri Potter ka zgjedhur mesfushorin Enzo Fernandez dhe sulmuesit Joao Felix dhe Mykhailo Mudryk.

“Jam i kënaqur me përforcimet dhe sigurisht që prej tyre pres edhe paraqitje më të mira. Sidomos me Felixin jam shumë i kënaqur pasi i ka shtuar ekipit cilësi në sulm. Jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe për ta tejkaluar Dortmundin padyshim se na duhet edhe përkrahja e fuqishme e tifozëve tanë. Dortmundi ka një ekip të mirë dhe një seri fantastike të cilën do të mundohemi ta ndërprejmë në stadiumin tonë”, ka shtuar Potter.

Edhe te Dortmundi optimizmi është i madh për ndeshjen e kthimit. Në të vërtetë, Dortmundi aktualisht po vlerësohet ekipi me formën më të mirë në Evropë pasi ka 10 fitore këtë vit. Nëse kjo seri e Dortmundit vazhdon edhe ndaj Chelseat, atëherë gjermanët do të jenë kandidatë seriozë për të shkuar larg në Champions. Për të avancuar në çerekfinale, Dortmundit i mjafton të evitojë humbjen nga Chelsea.

Shpresat më të mëdha tek ekipi gjerman i kanë në mesfushorin anglez, Jude Bellinghamin. Bellingham në gjashtë ndeshje të luajtura këtë sezon në Champions, ka shënuar katër gola dhe ka bërë dy asistime, ndërsa vazhdon të jetë njëri prej lojtarëve më të dalluar në fushë. Dortmundit në këtë ndeshje do t’i mungojë sulmuesi Karim Adeyemi, i cili shënoi golin e fitores ndaj Chelseat. Ai mungon shkaku i lëndimit.

“Të gjithë lojtarët kanë treguar paraqitje të mira këtë vit, ndërsa Jude po tregohet si një lider i vërtetë përkundër moshës së re. Është e natyrshme që loja jonë mbështetet tek ai, pasi në disa raste e ka zëvendësuar Marco Reusin me përgjegjësinë më të madhe si kapiten. Fitorja në ndeshjen e parë nuk do të thotë asgjë, pasi Chelsea ka skuadër të fortë dhe ne duhet të tregohemi të kujdesshëm”, ka theksuar trajneri i Dortmundit, Edin Terziq.

Edhe Dortmundi synon eliminimin e Chelseat Sport Dortmundi synon eliminimin e Chelseat

Duel të vështirë për Dortmundin ka parashikuar edhe mesfushori Emre Can, i cili në të shkuarën ka luajtur në stadiumin e Chelseat, por me fanellën e Dortmundit.

“Nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë, sepse kam luajtur në atë stadium dhe e di si është atmosfera. Megjithatë, ne e kemi fituar ndeshjen e parë dhe besimi është i madh se mund të konfirmojmë kalimin tutje pas ndeshjes së kthimit”, është shprehur Can.

Të martën mbrëma do të luhet edhe një ndeshje tjetër e kthimit në kuadër të 1/8 së finales. Skuadra e Benficas e pret Bruggen e Belgjikës. Brugge u mposht 2:0 në ndeshjen e parë në shtëpi.

E martë (21:00)

Chelsea – Borussia D. (0:1)

Edhe Potteri në probleme te Chelsea Sport Potteri në probleme te Chelsea

Benfica – C. Brugge (2:0)

*Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para