Portieri Kevin Trapp ka rinovuar kontratën me Eintracht Frankfurtin të premten, ka njoftuar ekipi nga Bundesliga.
Me rinovimin e kontratës, Trapp do të jetë pjesë e Frankfurtit deri në verën e vitit 2026 dhe ka opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër. Kontrata e tij e mëparshme i skadonte në vitin 2024.
32-vjeçari u rikthye te Frankfurti në vitin 2018 pas tri sezoneve të kaluara te Paris Saint-Germaini, ndërsa këtë edicion ka regjistruar 26 paraqitje në të gjitha garat.
Sezonin e shkuar, Trapp triumfoi në Ligën e Evropës me Frankfurtin, i cili fitoi trofeun e parë evropian në 42 vjet.
“Të gjithë e dinë se çka do të thotë ky klub për mua, pasi te Frankfurti ndihem si në shtëpi. Jam i vendosur për të dhënë gjithçka nga vetja për fanellën e këtij klubi”, ka deklaruar Trapp pas rinovimit të kontratës.