Sport

Ponte Prizreni kërcënon me largim nga garat

Te Ponte Prizreni nuk e kanë pritur aspak mirë vendimin e Komisarit të Garave të Federatës së Basketbollit të Kosovës që i eliminoj nga garat e plejofit për t’ia dhënë fitoren skuadrës së Pejës me rezultatin zyrtar 20:0. Komisari i Garave gjatë ditës mori këtë vendim, si dhe shqiptoi gjoba për Ponte Prizrenin si organizator i ndeshjes.

Trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati ka thënë se klubi nuk do të ankohet në Komisionin Arbitrar dhe insiston se vendimet që ka marrë komesari i garave, janë plotësisht të padrejta. Madje, ai ka thënë se te Ponte tashmë po shqyrëtojnë largiminm nga garat edhe pse ende nuk ka asgjë definitive.

“Po e diskutojmë tërheqjen nga garat dhe për këtë e kemi njoftuar edhe federatën, ndonëse nuk ka ende një vendim të prerë pasi gjërat po i marrim me qetësi. Është herët për të konstatuar, është frustrimi do të ulemi të analizojmë. Sponsorët tashmë kanë paralajmëruar tërheqjen nga ekipi. Është mëkat që na e kanë humbur tërë këtë mund. Normalisht, neni 24 i propozicioneve të garave çdo incident që shkaktohet nga tifozët, e humb ndeshjen 20:0. Por, ne nuk kemi pasur tifozë tradicionalisht dhe ishin disa zyrtarë të klubit. Iniciator ishte Dardani dhe pastaj ka pasur një konflikt me fizioterapeutin tonë dhe i pari ka goditur Walters. Nuk e shoh as Ponten e as Pejën si iniciatorë të kësaj tollovie. Vendim i papranueshëm pasi të paktën loja është dashur të përsëritet”, ka thënë Rifati për KOHËN. “Ky është një Joprofesionalizëm i Komesarit të Garave që nuk e ka ditur peshën e lojës duke deleguar gjyqtarë që nuk janë të denjë për ndeshje të tilla. Nuk do të ankohemi sepse vendimet e Komesarit janë vendime të territ që i merr natën edhe i publikon ditën”.

Ndeshja u ndërpre pas 20 minutave lojë, kur pasi lojtarët e Pejës po shkonin ë zhveshtore, nisi një përleshje ku u përfshinë lojtarë e zyrtarë të dy skuadrave, por edhe shikues. Rezultati në serinë gjysmëfinale ishte 2:2 dhe me fitoren “në tavolinë”, Peja shkon në finale, ku do të takohet me Yllin. Ponte krahas eliminimit ka marrë edhe një gjobë prej 4900 eurosh derisa me të holla janë dënuar edhe trajneri Arbnor Rifati, kryetari Zgjim Kryeziu e lojtari Leurit Morina. Rifati e Kryeziu janë gjobitur me nga 500 euro secili derisa Morina me 400 euro dhe dy ndeshje moslojë. Ponte Prizreni gjithashtu është dënuar edhe me zhvillimin e ndeshjeve pa prezencën e publikut në sezonin e ardhshëm.