Mauricio Pochettino u ka kërkuar tifozëve të Chelseat të mos presin që Christopher Nkunku të zgjidhë menjëherë problemet e ekipit të tij, ndërsa sulmuesi francez po përgatitet për një debutim të mundshëm në çerekfinalen e Kupës së Ligës kundër Newcastle Unitedit, të martën mbrëma. 26-vjeçari nuk ka luajtur ende në ndeshje zyrtare për klubin londinez pasi lëndoi gjurin në turneun parasezonal të Chelseat në SHBA, disa javë pasi u bashkua nga Leipzigu për 60 milionë euro.
Nkunku, golashënuesi më i mirë i edicionit të kaluar në Bundesligë, ishte i përfshirë në listën e trajnerit Pochettino kundër Sheffied Unitedit, ndeshje të cilën Chelsea e fitoi me rezultatin 2:0. Për Chelsean ishte fitorja e dytë rresht në shtëpi në Premier League për herë të parë në më shumë se një vit.
Ai nuk u paraqit në këtë triumf, por do të bëjë debutimin zyrtar të martën për skuadrën e Pochettinos, i cili ka paralajmëruar aktivizimin e Nkunkut.
Sipas Pochettinos, me Nkunkun në përbërje Chelsea do të jetë më i rrezikshëm. Por trajneri argjentinas ka kërkuar nga tifozët e klubit londinez që mos të presin shumë nga sulmuesi i Francës.
“Unë mund të them se ndoshta ai mund të luajë 20 minuta. Ndaj Sheffieldit nuk doja ta rrezikoja sepse kisha pak dyshime në lidhje me përgatitjen e tij fizike. Vetëm kur të jem 100 për qind i sigurt, atëherë Nkunku do të ketë minutazhë të plotë”, paralajmëroi Pochettino.
Chelsea ka shënuar 28 gola në 17 ndeshje të kampionatit këtë edicion, por golat kanë ardhur me vonesë për ekipin që renditet i dhjeti në Premier League, e që nuk arriti të shënonte fare në ligë gjatë shtatorit.
Pochettino u bëri thirrje tifozëve të tregojnë durim me sulmuesin e tyre të ri, i cili shënoi 16 gola për skuadrën e Leipzigut edicionin e kaluar.
“Nkunku ka stërvitur vetëm në javët e fundit, pasi për katër apo pesë muaj ishte jashtë. Ekipi ka evoluar dhe situata ka ndryshuar. Shqetësimi im është se mund t’i bëhet shumë presion pasi të gjithë mendojnë se me rikthimin e Nkunkut do t’i fitojmë të gjitha ndeshjet”, shtoi Pochettino. “Ai ka nevojë për kohë për të rikuperuar gjendjen e tij fizike. Shpresojmë që ai të luajë mirë ndaj Newcastlet dhe të shënojë tri gola, pastaj të jetë i qëndrueshëm. Por gjëja më e rëndësishme është të mos bëhet presion ndaj tij”.
Nicolas Jackson është golashënuesi më i mirë për Chelsean këtë edicion, me tetë gola të shënuar në të gjitha garat, ndërsa Cole Palmer dhe Raheem Sterling kanë nga gjashtë deri më tani.
Dueli mes Chelseat dhe Newcastlet zhvillohet në stadiumin “Stamford Bridge” në Londër dhe nis në orën 21:00.