Sulmuesi i krahut, Christopher Nkunku është përforcimi më i ri te skuadra e Chelseat.
Francezi është prezantuar të martën te Chelsea, ekip me të cilin ka firmosur kontratë gjashtëvjeçare. Ai te Chelsea është transferuar nga skuadra e Leipzigut, e cila thuhet se ka përfituar në total 80 milionë euro nga shitja e tij.
25-vjeçari prej vitit 2019 ka qenë pjesë e Leipzigut dhe njëri prej lojtarëve më të dalluar në kampionatin gjerman vitet e fundit. Në edicionin e fundit, Nkunku ka shënuar 23 gola dhe ka bërë 9 asistime në 36 paraqitje për Leipzigun, ekip të cilit iu bashkua nga Paris Saint-Germaini. Ai ka thënë se është shumë i lumtur që do të jetë pjesë e Chelseat dhe ka shtuar se me padurim pret debutimin e tij me fanellën e ekipit anglez.