Sport

Pochettino e nis punën te Chelsea me më shumë trajnerë të portierëve sesa portierë

Trajneri Mauricio Pochettino ka filluar punën te Chelsea me katër trajnerë të portierëve në staf. Klubi londinez ende nuk ka konfirmuar se sa persona prej stafit të ish-trajnerit Graham Potter do të punojnë me argjentinasin.

Trajneri i ri, Pochettino, ka nisur të hënën punën tek ekipi londinez, ndërsa prej të martës do të mirëpresë futbollistët që t’i bashkohen në fazën përgatitore. Pochettino është fotografuar me të arritur në qendrën stërvitore “Cobham”, duke u përshëndetur me stafin e tij, ndihmësin kryesor Jesus Perez, trajnerin e portierëve Toni Jimenez, si dhe ndihmësin Miguel D’Agostino. Ky është stafi që Pochettino e ka sjellë me vete te Chelsea, përfshirë edhe të birin e tij, Sebastianon.

Mirëpo, ai do të duhet të punonte edhe me një pjesë të stafit të cilin e ka lënë pas vetes anglezi Potter, që u shkarkua në muajin prill. Trajneri i besueshëm i portierëve të Potterit, Ben Roberts, do të punojë me Pochettinon në fillim të përgatitjeve. Roberts do të jetë vetëm njëri prej katër trajnerëve të portierëve të cilët do të punojnë gjithashtu, përfshirë Jimenezin, Hilarion dhe James Russellin. Edhe në uebfaqen zyrtare të klubit të gjithë janë të listuar si pjesë e stafit të ekipit të parë, ndonëse Russell është përshkruar si “ndihmëstrajner i portierëve”.

Kjo do të thotë se Chelsea aktualisht ka më shumë trajnerë të portierëve në ekipin e parë sesa portierë të cilët do ta nisin punën me Pochettinon. Edouard Mendy tashmë ka kompletuar transferimin në Arabinë Saudite. Te Chelsea kanë mbetur vetëm Kepa Arrizabalaga, Marcus Bettinelli e Gabriel Slonina. Klubi është në kërkim të një portieri për ta transferuar në këtë afat kalimtar, ndërsa emri më i lakuar mbetet ai i Andre Onanas së Interit.

“Ne mund të kemi një rrugëtim fantastik. Jam i lumtur që së bashku me stafin, të cilin tashmë e kam takuar, do ta nisim punën për edicionin e ri. Do të punojmë shumë për ta shndërruar Chelsean në një ekip fitues pasi kjo është historia e këtij klubi të madh”, ka thënë Pochettino të hënën.

Krahas trajnerëve të portierëve, Pochettino ka mbingarkesë të stafit edhe në departamentet e tjera të klubit. Kyle Macaulay, i cili ishte specialist i rekrutimit te Potteri, pritet që të qëndrojë në klub gjatë përgatitjeve. Macaulay është i specializuar në përdorimin e të dhënave si pjesë e përgjegjësive të tij të kërkimit dhe rekrutimit, ndërsa ka punuar si analist i performancës me Potterin në Ostersund, Swansea dhe Brighton. Chelsea ka edhe dy drejtorë sportivë, Laurence Stewart dhe Paul Winstanley, si dhe bashkëdrejtorin e rekrutimit Joe Shields dhe drejtorin teknik Christopher Vivell, të cilët po ashtu punojnë në departamentin për rekrutim.

Andy Cousins pritet t'i bashkohet ekipit të skautimit dhe rekrutimit. Misteri rrethon të ardhmen e Bruno Saltorit, të cilit iu kërkua të merrte drejtimin e ekipit ndaj Liverpoolit pasi Potter u shkarkua, por ai më nuk u shfaq për pjesën e mbetur të edicionit të shkuar pasi Frank Lampard mori përkohësisht detyrën. Bruno është ende i listuar si ndihmës trajner, por klubi ende nuk ka konfirmuar nëse ai do të punojë apo jo si pjesë e ekipit të Pochettinos. E njëjta gjë vlen edhe për Bjorn Hamberg, i cili është një tjetër trajner që u transferua në “Stamford Bridge” nga Brightoni me Potterin.

Potter është pa punë pasi u shkarkua nga Chelsea dhe aktualisht ka pak gjasa që ai të kthehet në menaxhim para fillimit të edicionit të ardhshëm. Chelsea tashmë ka larguar Gilbert Enokan, trajnerin e aftësive mendore, që u punësua për një periudhë të shkurtër edicionin e kaluar. Chelsea ka rikthyer mjekun Chris Hughes, i cili ka punuar në klub për pesë vjet përpara se të transferohej në Tottenham për të punuar me Pochettinon.

Te Chelsea po shpresojnë që ardhja e tij do të ndihmojë në kufizimin e numrit të lëndimeve në edicionin 2023/24 dhe të sjellë njëfarë stabiliteti në departamentin mjekësor, i cili ka kaluar një periudhë me trazira gjatë 12 muajve të fundit. / The Telegraph