Kompania mëmë e Manchester Cityt, “City Football Group”, ka dështuar në një përpjekje për të shtuar skuadrën NAC Breda në portofolin e saj global pas një reagimi të furishëm nga tifozët e klubit holandez. Kompania “City Football Group” ra dakord për një marrëveshje muajin e kaluar për të blerë NAC Bredan për shtatë milionë euro dhe për ta bërë klubin e 11-të që e kontrollon dhe të pestin në Evropë – pas Cityt, Gironas, Troyesit dhe Lommelit.
Grupi nënshkroi një marrëveshje partneriteti me NAC Bredan në vitin 2016, duke i lejuar klubit holandez të merrte lojtarët e Cityt në huazim dhe ndarjen e informacionit të skautimit, por plani ishte që të çonte marrëdhëniet më tej. Megjithatë, mbështetësit e NAC Bredas u zotuan se do të pengonin blerjen nga “City Football Group”, sepse nuk donin që klubi i tyre të humbiste identitetin e tij ose të bëhej një fabrikë për lojtarët e huazuar. Stadiumi i NAC Bredas me kapacitet prej 19,000 ulësesh është normalisht i mbushur plot në secilën ndeshje.
Po ashtu, Breda është një klub shumë i popullarizuar në Holandë, përkundër faktit që bën gara në kategorinë e dytë. Aktualisht, Breda zë vendin e tetë në tabelë dhe me gjasa të vogla për t’u rikthyer në elitë sezonin tjetër. Një grup tifozësh të NAC Bredas, organizuan një protestë dhe varen një pankartë jashtë “Etihad Stadium” të Manchester Cityt në fund të muajit mars, ku shkruhej: “Qëndroni jashtë territorit tonë, NAC nuk është një histori e Grupit të Cityt”.
Ka pasur gjithashtu pankarta edhe brenda stadiumit të NAC Bredas, si dhe brohoritje kundër marrjes së propozuar - së bashku me një fushatë në mediat sociale. NAC Breda ka qenë në pronësi të një grupi aksionarësh që nga viti 2011, me katër prej tyre – nën ombrellën e Fondacionit NOAD – që kontrollojnë një aksion të artë, i cili mund të vërë veton ndaj shitjes së klubit. Ka pasur blerës të tjerë të mundshëm të interesuar për NAC Bredan, duke përfshirë një konsorcium nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por NOAD ka vendosur të transferojë aksionet te një grup biznesmenësh vendës. Edhe klubi holandez ka reaguar të premten nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare, ku konfirmoi se nuk do të futet nën ombrellën e kompanisë “City Football Group”.
“Pas diskutimeve intensive si me kompaninë ‘City Football Group’, ashtu edhe me dy opsione të tjera të mundshme, Fondacioni NOAD vendosi që klubi NAC Breda t’i nënshtrohet planit lokal. Pra, NAC Breda nuk do t’i shitet askujt”, thuhej ndër të tjera në njoftim.
Pas dështimit për ta blerë NAC Bredan, kompania “City Football Group” ka nisur negociatat për ta futur në pronësi ekipin nga Italia Palermon. Palermo këtë edicion ka garuar në Serie D dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Serie C. Aktualisht, nën pronësinë e kompanisë “City Football Group” janë klubet si Manchester City, Girona, Lommel, Troyes, Melbourne City, Montevideo City Torque, Mumbai City FC, New York City FC, Sichuan Jiuniu dhe Yokohama Marinos.