Shkuarja në Arabinë Saudite për Botërorin e klubeve ndihmoi Manchester Cityn të bashkohej dhe të rifokusohej, tha trajneri Pep Guardiola pasi kampioni i Anglisë u rikthye në rrugën e duhur në Premier League me fitore 3:1 ndaj Evertonit, të mërkurën. Në ndeshjen e parë që nga triumfi në Botërorin e klubeve, City u ngjit përsëri në top-katërshen e ligës angleze, falë golave në pjesën e dytë nga Phil Foden, Julian Alvarez dhe Bernardo Silva. City ka tubuar 37 pikë nga 18 ndeshje, pesë prapa Liverpoolit që është lider, por që ka një ndeshje më shumë të luajtur. Synimi i Cityt për titullin e katërt rresht të kampionit, u godit me një seri rezultatesh negative para Krishtlindjes. U mposht nga Aston Villa dhe barazoi me Tottenhamin e Crystal Palacen, por trajneri Guardiola insistoi të enjten se ishte i kënaqur me mentalitetin që lojtarët e tij e treguan në stadiumin “Goodison Park” kundër Evertonit.
“Më kujtohet se ishim në aeroplan duke u kthyer nga Arabia Saudite, dëgjova lojtarët kur ata nuk e dinin që po i dëgjoja dhe ata filluan të flasin për Evertonin”, tha Guardiola. “Këtu, menjëherë thash se ky është ekipi im. Kam ndjenjën se ata tashmë janë kthyer në rrugën e duhur dhe duan ta fitojnë titullin e kampionit. Ne luajmë shumë ndeshje këtë edicion dhe njerëzit thonë se nuk jemi ekip i njëjtë. Ne kemi humbur një nga 13 të fundit ndeshjet e fundit, duke përjashtuar Kupën e Botës për Klube”.
Fitorja kundër Evertonit pati edhe koston e saj, pasi City mbeti pa mbrojtësin John Stones, i cili u detyrua të largohet para kohe për shkak të lëndimit. Dëmtimi i mbrojtësit anglez duket serioz dhe Guardiola ka pranuar një gjë të tillë.
“Nuk duket mirë, por do ta shohim”, shtoi Guardiola.
Kampioni i Evropës, që fitoi edhe Superkupën e UEFA-s këtë vit, ka qenë pa ndikimin e mesfushorit Kevin De Bruyne që ende nuk është rikuperuar plotësisht. Ndërkohë, tashmë disa ndeshje, City ka qenë edhe pa makinerinë e golave, norvegjezin Erling Haaland. Si Haalandi ashtu edhe De Bruyne pritet që në fillim të vitit të ardhshëm të jenë në dispozicion të Guardiolas.
“Haaland ndihet më mirë, por ai nuk ka bërë asnjë seancë stërvitore me ekipin. Shpresojmë, në janar, ai mund të kthehet. Kevini është afër, por duhet të jemi të kujdesshëm me të”, shtoi Guardiola.
Ndeshjen e ardhshme dhe të fundit për këtë vit, City e luan në shtëpi kundër Sheffield Unitedit, të shtunën.