Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Peshëngritësi Calja, kampion bote në njërin stil, titulli i madh i ikën për një kilogram

Peshëngritësi më i mirë shqiptar, Briken Calja, prej së premtes është nënkampion botëror. Calja në fakt të premten fitoi edhe medalje të artë, por vetëm në njërin stil, jo në dygarësh, përkatësisht në total.

Rezultati i Caljës është më i miri deri më tani për peshëngritjen shqiptare në përgjithësi. Atij për pak i iku titulli i madh, ai i kampionit të botës në dygarësh. Vetëm një kilogram më shumë ngriti kampioni i ri i botës në kategorinë deri 73 kilogramë.

Në të vërtetë 31-vjeçari ka kompletuar një vit shumë të mirë me medaljet e Botërorit. Në Evropian ka fituar medaljen e bronztë në dygarësh, ndërsa ishte i dyti në njërin stil. Më pas në Lojërat Olimpike iu afrua shumë pranë medaljes. Vetëm një kilogram më shumë kishte ngritur fituesi i medaljes së bronztë, ndërkohë që Calja u rendit i katërti. Peshëngritësi nga Shtërmeni i Elbasanit ngriti 341 kilogramë gjithsej, ndërsa Rahmat Ewin Abdullah i Indonezisë kishte 342 kilogramë në dy stilet. Abdullah kishte fituar medaljen e bronztë olimpike. Julio Mayora i Venezuelës kishte fituar medaljen e argjendtë me 346 kilogramë, ndërsa kinezi Shi Zhiyong ishte i paarritshëm. Ai kishte rezultat prej 364 kilogramësh. E fitoi medaljen e artë dhe vendosi rekord botëror e olimpik.

Në Botërorin që po mbahet në Tashkent të Uzbekistanit kinezi Zhiyong nuk mori pjesë. Por prapë indoneziani Abdullah për një kilogram ishte më i mirë se Calja.

Në shkëputje, Calja ngriti 156 kilogramë, më së shumti prej të gjithë garuesve në kategorinë deri 73 kilogramë. Dhe për këtë stil i takoi medalja e artë. I dyti ishte Suttipong Jeeram i Tajlandës me 154 kilogramë, ndërsa rusi Sergei Petrov ishte i treti me 153 kilogramë.

Edhe Peshëngritësi Calja kampion bote në njërin stil, i argjendtë në dygarësh Sport Peshëngritësi Calja kampion bote në njërin stil, i argjendtë në dygarësh

Ndërkohë në shtytje peshëngritësi shqiptar ngriti 186 kilogramë. Vetëm Erëin Rahmat Abdullah (Indonezi) kishte rezultat më të mirë, prej 192 kilogramë. I treti ishte Jeong Han-sol me 181 kilogramë.

Me total prej 343 kilogramësh, titulli i botës në dygarësh i takoi indonezianit Abdullah. Calja mbeti nënkampion i botës me 342 kilogramë, ndërsa tajlandezi Jeeram me 334 kilogramë fitoi medaljen e bronztë.

“Briken Calja, talenti me vullnet të hekurt, meriton sot një përulje me respekt, sepse ia doli të ngjitet në majën e botës pa e humbur kurajën e as durimin, në të përpjetën e vështirë dhe të rrëshqitshme drejt majës”, ka shkruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Urime peshëngritësit tonë të shkëlqyer të rekordeve historike, Briken Calja. Fitues i një medalje ari dhe dy argjendi në kampionatin botëror të peshëngritjes. Një sukses madhështor i tij që na bën krenarë të gjithëve”, ka shkruar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Në kategorinë deri 73 kilogramë garoi edhe Erkand Qerimaj. Ai u rendit i katërt. Ishte i katërti edhe në të dy stilet. Ishte një kilogram larg vendit të tretë.

“Vendi i katërt në botë, super arritje. Në ngritjen e peshës isha baras me vendin e tretë, por fati qëlloi që kundërshtari e realizoi provën para meje. Në kategorinë deri 73 kilogramë, ku nga Olimpiada kam rënë 8 kilogramë në peshë trupore. Shumë i gëzuar dhe i kënaqur me rezultatin”, ka shkruar Qerimaj.

Ndonëse në të tridhjetat, Calja po shkon duke përmirësuar rezultatet. Në Lojërat e Londrës në vitin 2012 ishte i gjashti. Në Rio në vitin 2016 ishte i pesti e në Tokio këtë vit i katërti. Ai ka shpalosur synimet për të fituar medalje në Parisi 2024, Olimpiadën e ardhshme.

Edhe Edhe një medalje e artë për Shqipërinë Sporte të tjera Edhe një medalje e artë për Shqipërinë

Në kampionate botërore, Calja rezultatin më të mirë e kishte në vitin 2017 në Anaheim të SHBA-së. U rendit i katërti në kategorinë deri 69 kilogramë. Në dy Botërorët e kaluar kishte një vend të gjashtë e një të pestë, ndërsa tani ka medalje të argjendtë botërore. Është ky prej sukseseve shumë të rralla të Shqipërisë në ngjarjet madhore sportive.

Në Evropian, Calja fitoi medalje ari në vitin 2018 në Bukuresht. Në vitin 2019 ishte i dyti, ndërsa sivjet i treti.