Prishtinë, 12 dhjetor – Peshëngritësi Briken Calja, ishte shumë pranë që të bëhet kampioni i parë nga Shqipëria në të gjitha sportet. Por, Calja të premten është dashur të kënaqet me medaljen e argjendtë në Botërorin e peshëngritjes të mbajtur në Tashkent të Uzbekistanit.
Në fakt 31-vjeçari fitoi të artën në njërin stil e të argjendtën në stilin tjetër të peshëngritjes. Por në dygarësh, ku rezultati llogaritet më së shumti, ai mbeti i dyti. Fitoi medaljen e argjendtë. Është suksesi më i madh i peshëngritjes shqiptare.
Shqipëria si shtet mbetet pa medalje të artë botërore, shkruan “insidethegames.biz”. Është ende pa medalje olimpike, ndërkohë që Kosova ka tashmë tri medalje të arta olimpike e po ashtu ka medalje të arta botërore. Kosova i ka sukseset kulmore në sportin e xhudos, ndërkohë që për Shqipërinë gjasat më të mëdha për sukses janë në peshëngritje.
Aktualisht, Calja është shpresa më e madhe e Shqipërisë për medalje olimpike. Në Tokio u rendit i katërti, ndërsa jashtë podiumit mbeti për një kilogram. Vendi i katërt ishte suksesi më i madh i Shqipërisë në ngjarjen më të madhe.
Në Botërorin e peshëngritjes në Tashkent, Calja për një kilogram mbeti pa titull të botës. Rahmat Erwin Abdullah i Indonezisë kishte rezultat të përgjithshëm prej 343 kilogramë. Calja u rendit i dyti me 342 kilogramë. Suttipong Jeeram i Tajlandës me 334 kilogramë fitoi medaljen e bronztë botërore.
Calja, që është nga Elbasani, ka titull të Evropës në vitin 2018, medalje të argjendtë në vitin 2019 dhe të bronztë këtë vit. Ndërkohë në Botëror ka fituar medaljen e parë.
Suksesi në Olimpiadën “Parisi 2024” është synimi i tij më i madh për të ardhmen.
“Kampion bote në shkëputje dhe nënkampion në shtytje dhe dygarësh. Është një rrugëtim i gjatë suksesi, një karrierë e jashtëzakonshme ku është derdhur djersë, mund e gjak. Jam krenar teksa shoh që të tëra këto po shpërblehen me rezultate”, ka shkruar Calja të dielën.
Ai është kthyer në Shqipëri menjëherë të shtunën.
“Është rrugëtim i një karriere plot sakrifica. Ndërsa kthej kokën pas, shikoj plot sfida të fituara e të humbura, plot buzëqeshje e lot të derdhur, plot njerëz që më mbështetën e më refuzuan. Por, në fund unë mbeta po ai, Brikeni që nuk u dorëzua kurrë, me optimizmin e fillimit, kur për herë të parë preka shtangën. Këto rezultate historike të peshëngritjes shqiptare janë fryt i punës së palodhur”, ka shkruar tutje aktualisht sportisti më i mirë i Shqipërisë.
Javë më parë, medalje të bronztë botërore fitoi edhe boksieri Alban Beqiri. Por, Calja bëri hap tutje.
“Asgjë nuk ka përfunduar. Të tjera suksese na presin së bashku. Më i rëndësishmi është gjithmonë ai i radhës”, ka paralajmëruar Calja.
Suksesin e radhës e kërkon në Evropianin e vitit 2022, që mbahet në pranverë. Por, synim i madh mbetet medalja olimpike.