Schalke shkon te lideri i ligës, Bayern Munichu, të shtunën në tentim për t’i ikur në mënyrë të jashtëzakonshme rënies nga elita, dhe për ta arritur këtë pret ndihmë të madhe nga qendërmbrojtësi dhe kapiteni Maya Yoshida. I bërë kapiten në fillim të këtij viti, kur Schalke ishte në vendin e fundit në tabelë, 34-vjeçari Yoshida ka qenë vendimtar në ringjalljen e papritur të ekipit. Schalke tani ndodhet në vendin e 15-të, një pozitë dhe dy pikë larg vendeve të rënies, me tri ndeshje të mbetura deri në fund të këtij edicioni.
Ringjallja e Schalkes - e cila dukej e pamundur pas një serie prej 10 humbjesh në 11 ndeshje midis shtatorit dhe janarit - është ndërtuar rreth stabilitetit të fortë mbrojtës. Kapiteni i Japonisë, Yoshida, thotë se përvoja e tij në kupën e botës “Katari 2022”, ku ekipi i tij mundi Spanjën dhe Gjermaninë në fazën e grupeve, e kishte motivuar atë të luftonte për ringjalljen dhe shpëtimin e Schalkes nga rënia.
“Arritja e rezultateve në Kupën e Botës ju fiton respekt nga shokët e skuadrës dhe njerëzit e tjerë me të cilët punoni. Është jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha Yoshida. “Kam ardhur këtu me përvojë, por fakti që isha kapiten i Japonisë dhe luajta kundër Gjermanisë e Spanjës, i bëri të tjerët të më dëgjojnë dhe kuptojnë”.
Derisa pretendon pikë kundër Bayernit, i cili është në garë të ashpër për titullin e kampionit me Borussia Dortmundin, Yoshida pranon se kjo do të jetë ndër detyrat më të vështira të tij këtë edicion te Schalke. Megjithatë, synimi i rezultatit pozitiv ndaj Bayernit favorit është dëshmi se sa larg ka arritur Schalke nën drejtimin e Yoshidas. Japonezi iu bashkua Schalkes si lojtar i lirë nga Sampdoria korrikun e shkuar, pasi ekipi gjerman u rikthye në Bundesligë si kampion i divizionit të dytë. Kur Yoshida nënshkroi me Schalken, ai kishte një karrierë dhjetëvjeçare në ligat kryesore evropiane pas tij, plus mbi 120 paraqitje ndërkombëtare, shumë prej tyre si kapiten. Një dëmtim i kapitenit Danny Latza, bëri që Yoshidas t'i jepej shiriti. Schalke humbi vetëm dy nga tetë ndeshjet e radhës nën drejtimin e Yoshidas, duke marrë 10 pikë të vlefshme.
“Kur të vijë koha, ju vetëm duhet të mblidhni energjinë tuaj dhe të luftoni”, tha Yoshida. “Unë jam te Schalke me misionin për ta mbajtur ekipin në ligë dhe nuk do të ndalem derisa ta përmbush. Ende në zonën e sigurisë, por unë besoj se edhe edicionin tjetër do të luajmë në Bundesligë pasi në tri ndeshjet e fundit do të grumbullojmë pikët e mjaftueshme”.
Bashkëlojtarët e Yoshidas në Schalke vlerësojnë ndikimin që ka pasur në klub mbrojtësi i lindur në Nagasaki. Portieri i Schalkes, Michael Langer, 38 vjeç, ka qenë në klub që nga viti 2017, duke përjetuar nivelet më të larta të arritjes – në 1/8 e finales të Championsit në edicionin 2018/19 – dhe nivelet më të ulëta – rënia nga Bundesliga në edicionin 2020/21. Austriaku tha se nënshkrimi i Yoshidas ishte “një fitore e madhe për klubin” si futbollist, por edhe “si qenie njerëzore”.
Edhe
Kapiteni i Japonisë krenar me arritjen në Botëror
“Para së gjithash, mendoj se ai na solli shumë përvojë në fushë, por edhe jashtë fushës. Ai gjithmonë ka këshilla të mira, është shumë i respektueshëm dhe punon shumë”, tha Langer.
Yoshida mungoi në dy ndeshje për shkak të lëndimit, por u rikthye për fitoren 2:1 të Schalkes ndaj Werder Bremenit në fund të prillit.