Yll Rugova ka gërmuar kaherë nëpër arkiva e në librin “Bota e Todhrit: Elbasanasit që shkruanin” krijuesi i një alfabeti origjinal për shqipen është shteg për të parë një botë më të gjerë. Komuniteti brenda të cilit ai jetonte kishte arritur të krijonte një jetë të vetën. Libri i Rugovës është përuruar me diskutimin “Mikrohistoria përmes arkivave vendore” një qasje që, në vend të figurave dhe ngjarjeve të mëdha, përpiqet të shohë historinë përmes individëve dhe komuniteteve të vogla. Pikërisht këtë qasje ka edhe “Bota e Todhrit...”
Me diskutimin në temën “Mikrohistoria përmes arkivave vendore” është promovuar libri “Bota e Todhrit: Elbasanasit që shkruanin” i Yll Rugovës. Është vepër që përmes figurës së Dhaskal Todhrit shkon përtej biografisë së njërit prej emrave më të njohur të historisë së shkrimit të shqipes, për të rindërtuar një pjesë të jetës së përditshme të Elbasanit të shekullit të 18-të. Libri mbështetet në dokumente arkivore, kodikë, regjistra esnafesh e materiale të tjera, duke e parë Todhrin brenda komunitetit dhe rrethanave shoqërore, ekonomike e fetare në të cilat ai jetoi.
Todhri nuk shfaqet vetëm si krijuesi i një alfabeti origjinal për shqipen. Rugova e përdor figurën e tij si pikënisje për të parë një botë më të gjerë. Theodhor Haxhifilipi, i njohur si Dhaskal Todhri, ishte mësues elbasanas dhe nga alfabeti i tij kanë mbijetuar rreth 800 faqe dorëshkrimesh.
Një nga shtyllat e diskutimit ishte pikërisht ideja e mikrohistorisë – një qasje që, në vend të figurave dhe ngjarjeve të mëdha, përpiqet të shohë historinë përmes individëve dhe komuniteteve të vogla.
Historiani Sokol Çunga ka thënë se në gjuhën shqipe është shkruar shumë pak mikrohistori, duke vënë në pah dallimin midis letërsisë që merret me personazhin dhe historiografisë që merret me “personazhin e parëndësishëm”.
“Shumë pak mikrohistori është shkruar në gjuhën shqipe sipas atyre fletoreve historike që qarkullonin. Kemi letërsi që merren në personazhin, por nuk kemi histori që merren në personazhin e parëndësishëm. Atë që nuk është funksionale, nuk është fisnik”, ka thënë Çunga.
Edhe
Libri për njohjen e Mitrovicës

Ky boshllëk, sipas tij, lidhet edhe me mundësinë që ofrojnë arkivat.
“Arkivat që kemi në Republikën e Shqipërisë, deri diku dhe atë që kemi në Republikën e Kosovës, ndoshta kanë informacione që ende kanë nevojë dikush të ulet, t’i shohë e t’i hulumtojë, por kemi fatkeqësi. Nuk kemi në dispozicion atë arkivin e gjyqësorit që kishte parasysh Ginzburg kur shkroi veprën e tij ‘Djathi dhe krimbat’. Kjo të kishte një biografi të plotë të një personazhi ku janë regjistruar hollësisht edhe bindjet e tij, edhe frikërat e tij, edhe fantazitë, edhe trillimet e mendjes tij ishin të gjitha të regjistruara si të dyshimta për të qenë herezi apo për të qenë të dëmshme ndaj një pozicioni sepse i tillë ishte lloji i zyrës, ky ishte funksioni i zyrës që prodhonin këto dokumente”, ka thënë ai më tej në promovimin e mbajtur në qendrën për kulturë alternative “Defy Them” në Prishtinë, të enjten pasdite.
Në librin e Rugovës, mungesa e një arkivi të tillë nuk e pamundëson rindërtimin e botës së Todhrit.
Rugova ka shpjeguar se libri e trajton vetëm komunitetin e krishterë të Elbasanit, të cilin e llogarit në rreth 800 persona, në një qytet që kishte rreth 20 mijë banorë. Sipas tij, ky komunitet, duke qenë i krishterë brenda Perandorisë Osmane, nuk ishte komunitet i privilegjuar.
“Ata duke qenë në një perandori, në një dinasti osmane, nuk ishin komunitet i privilegjuar në vete, sepse ishin të krishterë. Në atë shoqëri kadiu ka pasur të drejta të veta shumë më të mëdha dhe edhe pastaj kanë qenë edhe udhëheqës të tjerë, që kanë qenë osmanë që kanë udhëhequr. Pra, këta kanë qenë në vete komunitet i shtypur”, ka thënë Rugova.
Megjithatë, brenda kësaj hapësire të kufizuar, komuniteti kishte arritur të krijonte një jetë të vetën.
“Por, në hapësirën e tyre të vogël që e kanë pasur, kanë mbërritur ta krijojnë një lloj ngrohtësie, një lloj jete pak më cilësore, duke e kryer zanatin e vet. Këta i kanë pasur katër prej njëzet e diçka e esnafeve që kanë qenë në qytet, katër janë kontrolluar prej ortodoksëve. Unë e them në libër që ortodoksët ka qenë një lloj shtrese e mesme, të cilët nuk kanë pasur shumë dallime klasore mes tyre”, ka thënë Rugova.
Edhe Todhri, sado që mund të kishte një pozitë më të privilegjuar brenda këtij komuniteti, sipas autorit, duhet parë brenda të njëjtave korniza. Rugova ka treguar edhe dallimin mes këtij komuniteti urban dhe banorëve të fshatrave, të cilët për të kryer një martesë në Kishën e Shën Mërisë duhej të udhëtonin me ditë të tëra, ndërsa Todhri e kishte shtëpinë pranë kishës.
“Sado që Todhri mundet të jetë i privilegjuar ai ka qenë brenda këtyre kornizave, të cilat i ka pasur secili i krishterë tjetër i qytetit. Ata që kanë qenë të paprivilegjuar, kanë qenë banorët jashtë qytetit, nëpër fshatra. Për shembull, dikush që ka qenë në një fshat shumë të largët, është dashur të udhëtojë me ditë të tëra të shkojë në Elbasan e të hyjë në Kishën e Shën Mërisë e të martohet, kurse Todhri e ka pasur shtëpinë ngjitur me kishën’, ka thënë Rugova më tej.
Historiania Mrika Limani-Myrtaj ka vënë në pah idenë e “monopolit të dijes”, sidomos kur bëhet fjalë për periudha që, edhe nga pikëpamja arkivore, nuk janë shumë të ndriçuara.
Edhe
Dosja e intelektualit si kapitull i historisë së Kosovës
“Ajo çfarë libri arrin të paraqesë është që në kontekstin në të cilin ai është lindur, ka qenë i zakonshëm për klasën e tij sociale e ekonomike. Monopoli i dijës, mendoj që është shumë koncept i rëndësishëm, duke pasur parasysh kur flasim për periudhat që janë në aspektin edhe arkivor, jo fort të ndriçuara. Në këtë kontekst, ndoshta është mirë me i pas parasysh tri kohë të ndryshme, që nuk janë kohë lineare të historisë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, për ta lexuar këtë botë duhen pasur parasysh tri kohë që nuk ecin domosdoshmërisht në mënyrë lineare: koha e kodikëve, koha e grave dhe koha e krizave e murtajave.
Limani-Myrtaj ka thënë se libri, pavarësisht barrierave të mëdha kërkimore, arrin të ndërtojë një përditshmëri që mund të imagjinohet dhe të kuptohet. Në këtë kontekst, ajo ka veçuar edhe perspektivën gjinore, duke theksuar se krizat menaxhoheshin në masë të madhe nga gratë.
“Mendoj se libri, pavarësisht barrierës shumë të madhe kërkimore, ka arritur ta ndërtojë një përditshmëri që ne mundemi ta imagjinojmë si ka qenë. Në këtë aspekt, edhe perspektivës gjinore të interpretimit historik, i bën mjaft të drejtë. Është një kohë historike që ndërthuret shumë thellë me kohën e përditshmërisë së grave, domethënë sepse krizat menaxhohen prej grave”, ka thënë ajo.
Sipas Limani-Myrtajt, mirëmbajtja e jetës shoqërore, familjare e sociale ishte barrë e grave, ndërsa për këtë dimension të historisë, dokumentet kanë lënë shumë më pak gjurmë.
Hulumtuesja shkencore në degën e Historisë në Institutin Albanologjik, Zana Hoxha, ka folur për ndikimin që mund të kenë pasur mbi formimin e tij murtajat, varfëria, sëmundjet, krizat klimatike dhe paralajmërimet e kometave.
“Bëja shaka në mendjen time, dy vjet me murtajë, pastaj prapë e prapë. Ajo ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm, ndoshta edhe në vetërritjen si person duke jetuar në ato kushte. Nëse e analizon varfërinë e komunitetit të Elbasanit që paraqitet në një kohë, sëmundjet, pastaj krizën klimatike, paralajmërimin e kometës, të bën të mendosh sesi është rritur ai njeri që të ketë idenë për ta krijuar një alfabet nga fillimi. Mendoj se do të kishte qenë një mendje e ngritur, por në anën tjetër edhe shumë modeste”, ka thënë Hoxha.
Anna Shkreli, redaktore e librit, ka vlerësuar mënyrën se si Rugova kalon nga episodet e rënda të murtajës dhe varfërisë në momente të gëzimit kolektiv.
Shkreli ka thënë se stilistikisht libri “qëndroi shumë bukur”, pavarësisht episodeve të rënda, përfshirë dëshmitë për të varfrit që pas sëmundjeve detyroheshin deri edhe të shisnin fëmijët. Ajo ka veçuar mënyrën se si autori krijon “oaze” në tekst përmes përshkrimit të gëzimit dhe kthimit të shpejtë të komunitetit te festat pas murtajave apo krizave ekonomike.
Edhe
Brian Joseph: Mbijetesa e dialekteve – thelbësore për ta kuptuar historinë e shqipes
“Ylli, për mua, ka treguar shumë elegancë në mënyrën se si ka shkruar, sepse ka kaluar nga këto pjesë që janë më të rënda dhe pastaj ka afruar edhe disa si oazë në tekst që lidhen me gëzimin sa shpejt komuniteti i Elbasanit i jepej festave pas kalimit të murtajës apo të një krize ekonomike. Gjithmonë me shpresën se gjërat do të bëheshin më mirë, derisa u duk se shekulli i 18-të nuk po shkonte aq mbarë”, ka thënë Shkreli.
Vetë Rugova ka treguar se për ta shkruar librin i është dashur të mësojë shkrimin e Elbasanit dhe të transkriptojë dokumentet, edhe pse nuk e di greqishten. Ai ka shpjeguar se formulat e përsëritura në dokumente e kanë ndihmuar që, pas leximit të tyre disa herë, t’i zbërthejë edhe vetëm përmes pamjes së shkrimit.