Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Schalke kthehet në Bundesligë pas tri vjetësh – “aty ku e ka vendin”

schalke

Edin Xheko është kthyer në kohë për festë, ndërsa shtatë herë kampioni i Gjermanisë, Schalke, ka siguruar kthimin në Bundesligë. Schalke siguroi kthimin në elitë me fitoren 1:0 ndaj Fortuna Dusseldorfit, të shtunën.

“Kthimi në vendin që i takon”, ka shkruar legjenda Raul.

Kenan Karaman e shënoi golin e fitores në minutën e 13-të, ndërsa Schalke e ka të sigurt kthimin në elitë.

“Kemi pritur gjatë për këtë moment, si klub, si qytet, gjithë njerëzit rreth tij. Jam i lumtur që kemi bërë hapin vendimtar në shtëpi pasi tifozët e meritojnë këtë”, ka thënë Karaman, kapiten i skuadrës.

Schalke njihet për tifozët e shumtë dhe të zjarrtë, si shumë skuadra tradicionale gjermane.

Edhe Xheko firmos kontratë me Schalken Futboll Xheko firmos kontratë me Schalken

Trajneri Miron Musliq ka njoftuar pas promovimit se do të qëndrojë në krye të skuadrës. Ai vlerësohet shumë meritor për kampanjën e suksesshme në Bundesliga 2.

Legjenda boshnjake, Xheko, u transferua nga Schalke në janar. 40-vjeçari i shënoi gjashtë gola në nëntë ndeshje në ligë, por mungoi që nga 31 marsi për shkak të lëndimit. Ai u kthye në ndeshjen e së shtunës.

“Ne e kemi dashur këtë fitore, kemi dashur të festojmë me tifozë”, ka thënë Xheko, që ka paralajmëruar mbetjen në skuadër.

Është kthimi i dytë i Schalkes në Bundesligë në pesë vjetët e fundit. Fillimisht ra nga Bundesliga në vitin 2021 dhe u kthye në edicionin pasues. Por ra sërish në vitin 2023.

Edhe Schalke 04 prezanton Edin Xhekon Futboll Schalke 04 prezanton Edin Xhekon

“Asgjë nuk është më e rëndësishme se ta kthesh klubin në vendin ku edhe i takon të jetë”, ka thënë mbrojtësi Timo Becker.

Plot 61 mijë e 587 shikues ishin në stadiumin e Schalkes të shtunën mbrëma.