Kapiten i Zvicrës në ndeshjen emocionale me Serbinë në Kupën e Botës në Katar ishte Granit Xhaka. Xhaka u fishkëllye e u fye nga huliganë serbë. Pati edhe përplasje në fushë me lojtarët, ndërsa u shqua për paraqitjen trimëruese dhe për angazhimin deri në fund. Krahas Xherdan Shaqirit, ishte prej meritorëve për fitoren ndaj Serbisë, që u festua në gjithë Kosovën e po ashtu kudo ku ka shqiptarë. Nga shqiptarët u vlerësua më shumë se ndeshje.
Xhaka e festoi fitoren duke mbajtur veshur fanellën e bashkëlojtarit te Zvicra, Ardon Jashari. Serbët e vlerësuan këtë provokim për shkak të mbiemrit “Jashari” në fanellë, që Xhaka e vendosi në gjoks. E lidhën me mbiemrin e kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari.
Graniti ka pasur vit të madh edhe tek Arsenali. Ka kthyer besimin e tifozëve dhe sërish është prej lojtarëve më të dashur të gjigantit londinez. Arsenali e përfundoi vitin në pozitën e parë dhe kërkon titullin e kampionit në Premier League. Pozita e kapitenit te Zvicra nuk i rrezikohet, ndonëse ka pasur një valë kritikash ndaj tij në shtetin helvetik për shkak të mënyrës së festimit të fitores ndaj Serbisë dhe një veprimi gjatë asaj ndeshjeje.