Kosova ishte e para në listën e vendeve më të suksesshme në Kampionatin Evropian të Xhudos. E dyta më e suksesshmja ishte në garat individuale të xhudos në Lojërat Olimpike. Sa i takon xhudos kosovare, 2021-a ishte vit shumë i suksesshëm. Pas këtij suksesi kulmor qëndron Driton Kuka.
Kryemjeshtri pejan edhe zyrtarisht është shpallur trajneri më i mirë i vitit në xhudo. Dy medalje të arta olimpike, medalja e bronztë botërore, dy të arta e një e bronztë evropiane, janë disa prej sukseseve që gjatë vitit 2021 kanë arritur nxënësit e kryemjeshtrit.
Më në fund, duke u shpallur më i miri në botë, është njohur merita e kryemjeshtrit për ngritjen e ekipit kosovar të xhudos.
Ekipi i xhudos është storia më e suksesshme, jo vetëm sportive, e Kosovës. Derisa vende të tjera angazhojnë dhjetëra ekspertë për të shpresuar në ndonjë medalje olimpike, Driton Kuka punon thuajse i vetëm me një ekip të vogël xhudistësh elitarë. Por ata tashmë kanë tri medalje të arta olimpike dhe të gjitha medaljet e tjera të mundshme.