Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Kryemjeshtri Kuka i pranishëm në takimin e ekspertëve të xhudos

Driton Kuka

Me përfundimin e Lojërave Olimpike që u organizuan në Paris këtë verë, një cikël olimpik ka përfunduar dhe një i ri ka nisur për Lojërat Olimpike që do të mbahen pas katër vjetësh në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Të mërkurën në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe u mbajt takimi i nivelit më të lartë të xhudos botërore. 

Ekspertë ndërkombëtarë u mblodhën në takimin tradicional për ta analizuar ciklin e kaluar olimpik dhe ndryshimet që duhet të bëhen për ciklin e ardhshëm olimpik. 

Në mesin e figurave profesionale të sportit të xhudos ishte edhe kryemjeshtri Driton Kuka. 

Kuka është ftuar nga Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), Marius Vizer. 

Edhe Kryemjeshtri Kuka ftohet në takimin e nivelit më të lartë të xhudos botërore Luftarake Kryemjeshtri Kuka ftohet në takimin e nivelit më të lartë të xhudos botërore

“Me ftesë të Presidentit Vizer isha pjesë e diskutimeve për të ardhmen e xhudos drejt Lojërave Olimpike në ‘LA2028’. Diskutime të mira dhe të hapura prej njerëzve që vlerësohen në botën e xhudos!”, ka shkruar të mërkurën Kuka në Facebook. 

Kjo është hera e dytë që kryemjeshtri Kuka ftohet në takimin e nivelit më të lartë të IJF-së. 

Për herë të parë ishte ftuar në tetor të vitit 2021 në Olbia të Italisë. 

Kosova, falë punës së Kukës me nxënësit e tij, ka të fituara pesë medalje olimpike. 

Në “Rio 2016”, e artë olimpike ishte Majlinda Kelmendi. 

Në “Tokio 2020”, Kosova i fitoi dy medalje tjera të arta, me Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin. 

Edhe Dhjetë vjet nga e arta olimpike e Majlinda Kelmendit Luftarake Dhjetë vjet nga e arta olimpike e Majlinda Kelmendit

Ndërkohë, në “Parisi 2024”, Kosova fitoi dy medalje, një të argjendtë me Distria Krasniqin në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa Laura Fazliu e fitoi të bronztën në kategorinë deri 63 kilogramë. Në kryeqendrën franceze, Akil Gjakova u rendit i pesti në kategorinë deri 73 kilogramë. 

Xhudistët e Kosovës kanë të fituara edhe shumë medalje në kampionate e botërore.