Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, të martën përmes një postimi ka tërhequr vërejtjen për “ngecjen e madhe” në sportin kosovar. Për kryemjeshtrin Kuka është shqetësuese që në shumicën e federatave më as që flitet për normat olimpike.
Ai ka përsëritur vazhdimisht që niveli i sportit të një vendi ndër të tjera matet edhe me normat olimpike të siguruara.
Sportistët e Driton Kukës deri më tani kanë siguruar shumicën e normave për Kosovën. Natyrisht, edhe medaljet e vetme.
Në “Rio 2016” me normë ishin vetëm Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova. Majlinda fitoi të artën olimpike, ndërsa Nora u ndal herët për shkak të një lëndimi. Gjashtë sportistë të tjerë të Kosovës ishin me ftesë.
Në “Tokio 2020” me normë ishin pesë xhudistë dhe një mundës. Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi fituan të arta.
Në “Parisi 2024” me normë ishin pesë xhudistë dhe boksierja Donjeta Sadiku. Distria fitoi të argjendtë e Laura Fazliu të bronztë.
Në sportet e tjera sikur janë pajtuar që norma është diçka e “paarritshme”. Dhe kjo shqetëson Kukën.
“Qëllimet arrihen me punë e përkushtim, jo me fjalë e improvizime. Në sportet olimpike qëllimi janë vetë Lojërat Olimpike. Donjeta Sadiku besoj se do të kualifikohet dhe me kaq mbyllet numri që unë i shoh për Lojërat Olimpike në sportet tjera, nga prodhimi ynë vendorë. Natyralizimi apo blerja e sportistëve ndodh në krejt botën. Po ndodh edhe te ne, por a mund të krenohemi me këtë arritje? Patjetër që jo”, ka shkruar Driton Kuka.
Ai ka kërkuar që Komiteti Olimpik i Kosovës ta ketë fokusin te Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”. Në fakt është krijuar përshtypja se gjithë angazhimi i KOK-ut është për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Lojërat Mesdhetare për nga rëndësia e pesha janë nivel inferior në krahasim me Lojërat Olimike.
“Ajo që po shoh për mua është ngecje e madhe, marrë parasysh që as që flitet shumë për norma olimpike në federatat e sporteve olimpike. Komiteti Olimpik fokusin ta ketë te Los Angeles 2028. Ky është prioriteti i Kosovës në sport – të kërkohet përgjegjësi prej çdo sportisti e sidomos nga ata që përkrahen me bursa olimpike”, ka vazhduar kryemjeshtri i xhudos.
Në ekipin e Kukës po bëhet gradualisht ndërrimi i gjeneratës. Rrjedhimisht edhe në xhudo mund të ketë ulje të numrit të normave. Kuka është kritik edhe ndaj xhudistëve që është dashur të marrin përgjegjësi pas pensionimit të Majlindës, Norës dhe Loriana Kukës.
“Distria, Laura dhe Akil Gjakova besoj shumë që do të arrijnë kualifikimin. Shpresoj shumë që edhe një normë tjetër do ta kemi. Sipas formës, e nëse përkushtohet, ndoshta Shpati Zekaj do të kishte gjasa reale. Por vetëm nëse përkushtohet. Garuesit tjerë që mendoja që do të afrohen te norma, për momentin janë larg këtij qëllimi”, ka shkruar Driton Kuka.
Ekipi i tij kryesisht punon në heshtje dhe larg bujës. Por del në skenë sa herë që Kosova paraqitet në ngjarjet madhore. Dhe kështu pritet të jetë edhe në “Los Angeles 2028”.