Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Dhjetë vjet nga e arta olimpike e Majlinda Kelmendit

Majlinda Kelmendi

Dhjetë vjet më parë, më 7 gusht 2016, Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e artë olimpike.

Në Rio de Janeiro të Brazilit, Majlinda e fitoi medaljen më të vlefshme në sport, në kategorinë deri 52 kilogramë në xhudo. Kështu Kosova në pjesëmarrjen e parë në Lojërat Olimpike fitoi medalje ari, që ende nuk e kanë fituar një pjesë e konsiderueshme e shteteve të botës.

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka kujtur përmes një postimi momentin e veçantë.

“Kampione Evropiane katër herë. Kampione Botërore dy herë. Megjithatë, gjithmonë kishte një ‘por’ nga njerëzit kudo që na takonin. Olimpiada ishte gjithmonë komenti dhe kishin të drejtë. Olimpiada megjithatë është e veçantë. Dhjetë vjet më parë erdhi e arta olimpike – ajo që na mungonte. Tashmë i kishim të gjitha medaljet e arta që mund të fitohen në sport”, ka shkruar kryemjeshtri Kuka, kreatori i gjitha sukseseve të xhudos kosovare.

Falë punës së Kukës dhe nxënësve të tij, Kosova ka fituar medalje në tri edicionet e Lojërave Olimpike në të cilat mori pjesë. Në “Tokio 2020”, Lojëra që u mbajtën në vitin 2021 për shkak të pandemisë COVID19, të arta fituan Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Në “Parisi 2024”, Distria fitoi të argjendtë e Laura Fazliu të bronztë.

Edhe 18 vjet shtet - xhudistët e Kosovës, të pakrahasueshëm Luftarake 18 vjet shtet - xhudistët e Kosovës, të pakrahasueshëm

Por Kosova doli në piedestal me të artën e Majlindës, një dekadë më parë. E arta olimpike, sidomos e para për një vend, shoqërohet me publicitet të jashtëzakonshëm për sportistin dhe shtetin e saj.

“Ajo ditë në Rio de Janeiro mbetet e madhe për Kosovën dhe shqiptarët anembanë botës. U nis në Rio, vazhdoi në Tokio. Dhashtë Zoti tutje, me të tjera medalje olimpike”, ka shkruar kryemjeshtri Kuka.

Medalja olimpike dallon nga medaljet në ngjarjet tjera të mëdha, duke përfshirë Botërorin. Kuka thotë se medaljet olimpike në sport nuk mund të krahasohen me asgjë tjetër.

Kosova në Lojëra Olimpike ka medalje vetëm në xhudo. Falë punës që bëhet në Pejë nga Kuka dhe xhudistët e tij, Kosova tashmë vlerësohet superfuqi evropiane e xhudos, ndonëse me pak garues. 

Në Rio, Majlinda kishte nisur me fitore me “Ippon” ndaj zviceranes Evelyne Tschopp, në xhiron e dytë. Më pas e kishte mposhtur Christianne Legentilin e Mauritiusit, që më parë ia kishte shkaktuar humbjen më të rëndë në karrierë. Fitorja e madhe erdhi në gjysmëfinale ndaj japonezes, Misato Nakamura. Ndërkohë në finale Majlinda e mposhti Odette Giuffridan e Italisë.

Edhe Majlinda e kërkuar edhe si trajnere, refuzon ofertë të majme nga Emiratet Arabe Luftarake Majlinda e kërkuar edhe si trajnere, refuzon ofertë të majme nga Emiratet Arabe

Majlinda garoi edhe për pesë vjet pas “Rio 2016”, deri pas Lojërave në Tokio. Por u përball me lëndime të shumta, që dolën të jenë “kundërshtari” kryesor i saj.

Edhe pasi i dha fund karrierës si xhudiste, Majlinda nuk iu nda xhudos. Tani është trajnere në ekipin e kryemjeshtrit Kuka. Përvojën e fituar në karrierën e mahnitshme, po e përcjell me shumë sukses te xhudistët e rinj.