Aftësia e lojtarëve të Manchester Cityt për t’iu përshtatur formacioneve dhe roleve në fushë ka qenë vendimtare për skuadrën angleze në këtë edicion. Kështu ka theksuar mbrojtësi John Stones.
Stones ka luajtur qendërmbrojtës për pjesën më të madhe të karrierës së tij, por trajneri i Cityt, Pep Guardiola ka eksperimentuar këtë kampionat me reprezentuesin e Anglisë. Guardiola e ka vendosur Sontesin si mbrojtës të krahut të djathtë dhe mesfushor defensiv në javët e fundit. Ai u kthye në territor më të njohur, në zemër të mbrojtjes së Cityt, për fitoren 4:1 ndaj rivalit për titull, Arsenalit, të mërkurën, pasi Guardiola ndryshoi sistemin e lojës sërish.
Stones ka thënë se jo vetëm ai, por asnjëri prej futbollistëve të Cityt nuk e ka problem nëse trajneri e zhvendos nga roli i tij natyral për ndeshje të caktuara. Ai ka thënë se tashmë janë mësuar me taktikat e trajnerit spanjoll dhe për këtë arsye përshtaten në çfarëdo sistemi të lojës apo pozite që iu caktohet për të luajtur.
“Ne tashmë jemi mësuar me trajnerin tonë, sidomos këtë edicion. Ne vazhdimisht përgatisim skenarë të ndryshëm në stërvitje për t’u përshtatur me lojën e kundërshtarit dhe për këtë jemi paralajmëruar në start të kampionatit”, ka zbuluar Stones të premten. “Sipas trajnerit kjo është mënyra më e mirë për t’i mposhtur skuadrat që kemi përballë. Kundër Arsenalit u ktheva në qendër të mbrojtjes, pasi trajneri tha se kjo është mënyra më e mirë për të fituar dhe padyshim që funksioni. Kjo tregon se ne mund të përshtatemi dhe të ndryshojmë rolet dhe përgjegjësitë tona në fushë për disa ndeshje”.
Ka edhe prej atyre që kanë dështuar në ndërrimin e roleve. Mungesa e përshtatshmërisë i la disa lojtarë jashtë formacionit. Kyle Walker ishte në gjendje të kthehej në anën e djathtë të mbrojtjes kundër Arsenalit, falë një ndryshimi të sistemit nga Guardiola. Ai u paraqit titullar te City pas një periudhe si rezervist.
“Unë jam trajner që preferoj lojtarët fleksibilë, pasi filozofia ime e punës është e tillë. Edhe lojtarët tashmë e dinë këtë dhe ata që janë të përshtatshëm inkuadrohen në formacionin bazë. Këto janë rregullat e mia dhe falë tyre unë kam arritur të tregohem i suksesshëm”, është shprehur Guardiola.
Guardiola pranoi se nuk e ka preferuar Walkerin titullar në ndeshjet e fundit për shkak se ai nuk mund të luante në ndonjë rol tjetër përveç atij në krahun e djathtë, i cili edhe është roli natyral i tij. Fitorja e Cityt ndaj Arsenalit ka bërë që diferenca e pikëve të ngushtohet në vetëm dy, por ekipi i Guardiolas ka edhe dy ndeshje më pak të luajtura.
“Ne kemi një orar të ngjeshur, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Ne jemi të fokusuar nga ndeshja në ndeshje dhe do të mundohemi të japim më të mirën për t’i fituar të gjitha deri në fund të sezonit. Sigurisht nuk do të jetë lehtë, por forma e fundit na bën të jemi optimistë se mund t’ia dalim”, është shprehur Stones.
Krahas titullit të kampionit në Premier League, City është në garë edhe për dy trofe tjerë. Ka arritur deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ku do të përballet me Real Madridin, si dhe finale të Kupës FA ku luan ndaj Manchester Unitedit.