Futboll

City pëson goditje në mbrojtje, gara për titull bëhet më e vështirë

Pep Guardiola

Manchester City ka pësuar goditje jo të lehtë në garën për titull të kampionit në Premier League.

Të martën trajneri Pep Guardiola ka konfirmuar që mbrojtësi Ruben Dias do të jetë jashtë fushës për katër deri në gjashtë javë për shkak të një lëndimi në kofshë. Ndërkohë mbrojtësi kroat, Joshko Gvardiol, do të mungojë edhe më gjatë, disa muaj pasi pësoi thyerje në ashtin tibia.

Të dy lojtarët e rëndësishëm u lënduan të dielën në barazimin 1:1 të Manchester Cityt me Chelsean.

City është i dyti në Premier League me 42 pikë, gjashtë më pak se Arsenali. Të dy skuadrat i kanë nga 20 ndeshje.

“Dias pësoi lëndim të hamstringut dhe do të jetë jashtë për katër deri në gjashtë javë. Gvardiol do të jetë jashtë për një kohë më të gjatë”, ka thënë Guardiola për gazetarët para ndeshjes të së mërkurës në shtëpi kundër Brightonit të vendit të dhjetë.

“Për John Stones nuk kam ide. Nuk jam gati për ndeshjet e ardhshme. Është kthyer Nathan Ake, mbrojtës i qendrës. Max Alleyne është kthyer nga huazimi te Watfordi. Ne vlerësojmë Watfordin për atë që ka bërë për djaloshin e ri. Kjo është situata”, ka shtuar tekniku spanjoll.

Ai ka lavdëruar shpirtin ekipor të lojtarëve.

“Me shpirtin që kemi, gjithmonë mund ta përballojmë. Duke marrë parasysh lodhjen, duhet të shohim fytyrat dhe të marrim vendim nesër”.

I pyetur nëse City do të hyjë në tregun e transferimeve të janarit, Guardiola tha: “Ndoshta marrim diçka, po është krejtësisht ndryshe nga kampionati i kaluar. Nuk do të blejmë katër apo pesë lojtarë si edicionin e kaluar”.

City është lidhur me një transferim të mundshëm të Antoine Semenyos nga Bournemouthi dhe të qendërmbrojtësit të Crystal Palace, Marc Guehi.

Guardiola foli edhe për shkarkimet e trajnerëve nga klubet angleze. Ruben Amorim u shkarkua të hënën nga Manchester Unitedi pas 14 muajsh në krye të skuadrës. Enzo Maresca po ashtu u largua nga Chelsea, pas një përplasjeje me drejtuesit e klubit.

Guardiola, që është gjatë në krye të Manchester Cityt, është pyetur nëse trajnerëve po u jepet pak kohë për të dëshmuar veten.

“Po, është fakt. Më pak kohë. Si ajo që ndodhi me Enzon. Nuk mund të them asgjë nga respekti për lojtarët dhe institucionet e Chelseat dhe Manchester Unitedit. E vetmja gjë që mund të them është se Ruben është trajner i nivelit të lartë. Vendimi u mor nga fqinjët tanë, por i uroj Rubenit të gjitha të mirat në të ardhmen”, ka theksuar Guardiola.