Ndeshja e 1/8 të finales të Botërorit në “socca” mes Shqipërisë dhe Brazilit është mbyllur me përleshje ku u përfshinë anëtarë të të dyja përfaqësueseve.
Brazili avancoi në çerekfinale pas fitores 7:2. Incidenti ka ndodhur menjëherë pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit kryesor, në afërsi të vijës anësore, ku ishin të vendosur shumë tifozë shqiptarë. Ndeshja u zhvillua në Essen të Gjermanisë, aty ku po zhvillohet Botërori i futbollit të vogël.
“Socca” është version i futbollit të vogël, ku ndeshja luhet me gjashtë lojtarë në fushë.
Edicioni inaugurues i kësaj loje u bë në vitin 2018 në Lisbonë të Portugalisë.
Në edicionin 2026 të “Socca World Cup Essen 2026” morën pjesë 48 shtete, përfshirë edhe Kosovën.
Shqipëria përfundoi e dyta në Grupin F me shtatë pikë dhe avancoi tutje. E para me shtatë pikë por me goldallim më të mirë ishte Hungaria. Në grup ishin edhe Uruguai dhe Nigeria. Në ndeshjen e parë të fazës nokaut, Shqipëria e mposhti Bullgarinë me rezultatin 3:2.
Kosova përfundoi e treta në Grupin L me tri pikë në tri ndeshje. E la pas Kilin, por mbeti prapa Polonisë dhe Marokut.
Dy të parët nga 12 grupe avancuan në fazën nokaut.