Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Futsall, Kosova gati për duelin me dy herë kampionen e Evropës

Kosova - Futsal

Pas fitores së madhe 3:2 në Tbilisi të Gjeorgjisë muajin e kaluar, përfaqësuesja e Kosovës në futsall është gati edhe për një tjetër sfidë të madhe e dukshëm më të vështirë. 

Përballë Kosovës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë të premten nga ora 20:00 do të jetë Italia, dy herë kampionia e Evropës. 

Ndeshja e së premtes mbrëma për Kosovën do të jetë e dyta në Grupin 10 të “raundit kryesor” për kualifikim në Kupën e Botës 2028. 

Italia dhe Kosova janë të parat në grup me nga tri pikë pas një ndeshjeje të luajtur. Gjeorgjia e treta është pa pikë, me dy humbje në po aq ndeshje. 

Përzgjedhësi i Kosovës, Agon Ramadani, pret ndeshje të fortë ndaj Italisë. Por ai ka kërkuar kujdes të shtuar ndaj italianëve të rrezikshëm. Italia e fitoi Evropianin në vitet 2003 dhe 2014, ndërsa ishte nënkampione e botës në vitin 2004. Italia në Botërorët 2008 dhe 2012 e fitoi medaljen e bronztë.

Bëhet fjalë për përfaqësuese me histori në këtë sport. 

“Ne si staf e kemi bërë punën tonë, së bashku me lojtarët e kemi analizuar ndeshjen e Italisë që e luajti ndaj Gjeorgjisë. Mendoj se jemi të gatshëm si në aspektin psikologjik ashtu edhe fizikisht jemi mirë. Mendoj se nuk na mungon asgjë të bëjmë një paraqitje të mirë ndaj tyre”, ka deklaruar përzgjedhësi Ramadani për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit e Kosovës. 

Përzgjedhësi 36-vjeçar i Kosovës mbështetet edhe në përkrahjen e madhe nga tribunat, që i vlerëson shumë të rëndësishëm për paraqitje sa më të mirë. 
Ramadan Alaj 

“Jemi përgatitur maksimalisht si në aspektin fizik, psikik e po ashtu edhe në aspektin teknik. Shpresojmë të dalim sa më mirë. Kundërshtarja është jashtëzakonisht e fortë”, theksoi Alaj. 

I kënaqur me përgatitjet është shprehur edhe Jeton Rukovci. 

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Jemi optimist që do të marrim rezultat pozitiv. Presim përkrahje të madhe nga tifozët. Shpresoj se salla do të mbushet. Do të jetë shtysë e madhe për ne”, theksoi Rukovci. 

Menjëherë më 10 nëntor, Kosova e luan ndeshjen kthyese ndaj Italisë, ndërsa e mbyll këtë kampanjë kualifikuese me ndeshjen e fundit të grupit. Më 24 shkurt e pret Gjeorgjinë. 

Vetëm fituesit e 12 grupeve sa janë gjithsej dhe katër më të mirat e vendeve të dyta bëjnë vend për në “Elite Round”. Tetë përfaqësueset e tjera të vendeve të dyta do ta kërkojnë kualifikimin tutje nëpërmjet plejofit. Vetëm katër prej tyre avancojnë po ashtu në raundin e fundit të kualifikimeve.