Sport

Pepe synon ta ringjallë karrierën me huazim te Nice

Nicolas Pepe

Kur Arsenali “theu bankën” për të blerë Nicolas Pepen nga Lille, kishte shpresë se ai do ta çonte skuadrën londineze përsëri në krye të Premier Leagues. Është pak ironike që lojtari i blerë për 80 milionë euro është larguar për t'u bashkuar me Nicen në huazim njëvjeçar, me Arsenalin tani në krye të Ligës Premier pas një starti të përsosur. Është një kontrast i madh me Nicen e trajnerit Lucien Favre, që ka marrë vetëm dy pikë nga tri ndeshje këtë edicion në Ligue 1 dhe është në vendin e 16-të, përpara ndeshjes në shtëpi që e luan të dielën kundër Marseillet të pamposhtur.

Skuadra e Favres ka shënuar vetëm dy gola, kështu që Pepe mund të futet direkt në formacionin startues në stadiumin “Allianz Riviera”, kundër rivalit të madh jugor të klubit. Takimi i sezonit të kaluar u ndërpre pas dhunës së tifozëve. Marseille refuzoi të rifillonte atë lojë pasi tifozët vendas hodhën mjete plasëse dhe pushtuan fushën.

Mesfushori i Marseillet, Dimitri Payet, u godit në shpinë nga një objekt dhe bashkëlojtarët e tij patën edhe përballje me disa nga tifozët ultras të Nices. Siguria është përmirësuar këtë sezon, kështu që futbolli - dhe ndoshta ardhja e Pepes - duhet të jetë pika kryesore e bisedës të dielën mbrëma.

Kur Pepe iu bashkua Arsenalit tre vjet më parë, pas një sezoni fantastik në Francë me 22 gola dhe 11 asistime në ligë me Lillen, shifra e paguar nga londinezët la në hije 60 milionë eurot e shpenzuara për sulmuesin Pierre-Emerick Aubameyang. Edhe pse Pepe u paraqit mirë në sezonin e tij të dytë me Arsenalin, duke shënuar 10 gola në Premier League dhe 16 gola në të gjitha garat, bilanci i përgjithshëm prej 27 golave në 112 ndeshje për Arsenalin është shumë i vogël në krahasim me çmimin e paguar për kartonin e tij.

Nice duhet ta ndihmojë atë të kthejë besimin dhe tifozët do të shpresojnë se Pepe mund të tregojë talentin që shkaktoi mburrjen e madhe të Arsenalit. Ai u prezantua para tifozëve të enjten në mbrëmje, duke veshur fanellën e klubit, ndërsa të premten foli si lojtar i Nices.

“Nuk e shoh kthimin tim në Francë si kthim prapa në karrierë. Jam kthyer për ta shijuar futbollin dhe për ta ndihmuar ekipin, i cili ka një projekt fantastik”, tha Pepe në prezantimin e tij te Nice, të premten. “Për asgjë nuk po mendoj tjetër veç futbollit. Dua të rikthej formën time të dikurshme dhe ky është vendi i duhur për ta bërë këtë”.

27-vjeçari është jashtëzakonisht i shpejtë dhe një sulmues i aftë për të luajtur në të dy krahët. Megjithatë, Pepe mund të luajë edhe si qendërsulmues, rol të cilin e mësoi kur ishte te Lille dhe e kishte trajner Marcelo Bielsan. E kjo mund t’i përshtatet shumë mirë trajnerit Favre. Pepe i jep mundësinë që të luajë këtë edicion me dy sisteme të ndryshme të lojës: 4-3-3 dhe 4-2-3-1.

Me sulmuesin Amine Gouir që dështoi të rimarrë formën e tij nga sezoni i kaluar dhe sulmuesin danez Kasper Dolberg që ka një lëndim në shpatull, ka një mundësi që Pepe të jetë startues në shumë ndeshje në një sulm që ka nevojë për rigjallërim. Nëse paraqitet mirë, atëherë Pepe mund të ketë një tjetër shans për të bërë përshtypje në skuadrën e rinovuar të trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta. Është një shenjë treguese që Arsenali e huazoi Pepen, por nuk ia dha Nices opsionin për ta blerë në fund të sezonit. Arteta ende shpreson se sezoni i ardhshëm do të jetë ai kur Pepe më në fund do të përmbushë premtimin e tij të madh me Arsenalin.

“Kanë kaluar tre vjet qëkur iu bashkua klubit dhe Pepe ka pasur disa momente shumë të mira, por edhe disa momente ku ai nuk ka kontribuar aq shumë për ekipin. Dhe ne kemi vendosur që ta huazojmë. Ai ka nevojë për minuta dhe ka nevojë për të luajtur futboll. Ishte me të vërtetë i vendosur për ta bërë këtë, kështu që te Nice besoj se do ta rigjejë formën që e kishte dikur”, ka thënë Arteta.

Pepe ka kontratë me Arsenalin deri në verën e vitit 2024.