Sport

Peja mposhtet në Izrael, Levski nuk vjen në Kosovë

Liga Ballkanike në basketboll po vazhdon të zhvillohet, ndonëse pa shumë bujë e pa ndonjë interes të madh të shikuesve. Të martën mbrëma, Peja ka luajtur ndeshjen e radhës. Skuadra pejane luajti në Beer Sheva të Izraelit ndaj skuadrës Hapoel Beer Sheva. Skuadra izraelite fitoi me rezultat 88:81.

Vendasit e bënë dallimin e madh në pjesën e parë, ndërsa kthimi i Pejës në pjesën e dytë nuk ishte i mjaftueshëm. Hapoeli e fitoi çerekun e parë me rezultat 25:18 e të dytin me 25:12. Kështu pas 20 minutave lojë rezultati ishte 50:30 në të mirë të Hapoelit.

Peja u kthye në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 27:16. Në çerekun e katërt u afrua në rezultat, por megjithatë pa e arritur përmbysjen e madhe.

Peja renditet e dyta me bilanc prej shtatë fitoreve e dy humbjeve. Hapoeli ka nëntë fitore e një humbje dhe udhëheq në tabelë.

Peja ndeshjen e radhës është dashur ta luajë të enjten në “Karagaçi” ndaj Levski 2014 nga Bullgaria. Skuadra bullgare është dashur të luajë me Bashkimin në Prizren të mërkurën po ashtu. Këto dy ndeshje megjithatë nuk do të zhvillohen. Klubi nga Sofja ka vendosur të mos udhëtojë për në Kosovë.

“Klubi bullgar ka dërguar një email, duke informuar ligën me vendimin. Ka përmendur fazën finale të kupës së Bullgarisë, që ka lëvizur një javë më herët dhe po ashtu dokumentacionin e lojtarëve të huaj që është vonuar. Përkundër përpjekjeve maksimale nga menaxhmenti i ligës, Levski ka mbetur në Sofje dhe ndeshjet nuk do të luhen”, ka njoftuar Liga Ballkanike.

Edhe më herët këtë edicion disa ndeshje janë anuluar pa ndonjë arsye të fortë. Ndeshje ka anuluar edhe Bashkimi i Prizrenit. Dhe kjo dëshmon që Liga Ballkanike mezi zhvillohet, ashtu si shumë liga të tjera të këtij lloji.