Bashkimi i Prizrenit assesi të shënoi fitore në Ligën Ballkanike në basketboll. Të martën mbrëma në Suharekë, Bashkimi pësoi nga skuadra izraelite, Hapoel Beer Sheva.
Skuadra mysafire ishte bindëse dhe fitoi me rezultatin 81:60. Në të vërtetë pjesa e parë ishte e barabartë dhe dukej që Bashkimi mund të befasonte Hapoelin. Por në pjesën e dytë izraelitët ishin dominantë dhe shënuan fitoren bindëse.
Për Hapoelin ishte fitorja e katërt rresht nga po aq ndeshje të luajtura. Ndërkohë Bashkimi ka pësuar humbjen e katërt. Është skuadra e vetme pa fitore në Ligën Ballkanike.
Prizrenasit më herët kanë pësuar edhe nga Mileniumi malazez, Budivelnyku ukrainas dhe Peja.
Daniel Lekndreaj i kishte 19 pikë e katër kërcime për Bashkimin. Dejuan Graff i realizoi 11 pikë e gjashtë kërcime, ndërsa Samard Samuels i kishte dhjetë pikë e gjashtë kërcime.
“Kundërshtari është i fortë. Ka lojtarë të mirë, ka rezultate të mira në ligën e Izraelit. Ishte ndeshje e vështirë. 20 minuta kemi luajtur mirë, por kjo nuk mjaftoi. Fahro Alihoxhiqi po na mungon aktualisht. Po na kushton që në momente po na mungon fokusimi”, ka thënë trajneri i Bashkimit, Audrius Prokuraitis.
Pos Bashkimit në Ligën Ballkanike paraqitet edhe Peja. Skuadra pejane deri më tani i ka katër fitore nga po aq ndeshje të luajtura. Peja të enjten mbrëma në “Karagaçi” takohet me Hapoelin. Do të jetë kjo ndeshja që do të vendosë për pozitën e parë në tabelë.
Edhe
Peja mposhtet në finalen dramatike të Ligës Ballkanike
Të mërkurën e të enjten luhen ndeshje në kuadër të xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Të mërkurën nga ora 18:00 është derbi në mes të Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës. Të enjten janë ndeshjet Vëllaznimi – Rahoveci dhe Trepça – Bashkimi. Të dy këto ndeshje luhen prej orës 19:00.
Bashkimin pra e pret një tjetër ndeshje e vështirë, ndaj Trepçës në Mitrovicë.
Bashkimi e organizoi ndeshjen e së martës në Suharekë për shkak të punimeve në palestrën në Prizren.