Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Peja mposhtet në finalen dramatike të Ligës Ballkanike

Peja është mposhtur në finale të Ligës Ballkanike në basketboll.

Të dielën mbrëma në Stara Zagora të Bullgarisë, Peja u mposht nga skuadra izraelite, Hapoel Beer Sheva. Skuadra pejane u mposht me rezultatin e ngushtë, 101:95.

Në periudhën e katërt Peja disa herë ishte në epërsi të lehtë. Udhëhoqi 78:76 e 85:84. Dy minuta para fundit rezultati ishte i barabartë, 91:91. Por më pas skuadra izraelite realizoi më shumë pikë për të fituar 99:95 në fund.

Në gjysmëfinale, Peja e mposhti Beroen bullgare me rezultat 124:82. Kjo ndeshje u luajt të premten. Ndërkohë, Hapoeli fitoi ndaj Milenijum Kodios së Malit të Zi me rezultat 123:72.

Stinorin e rregullt Peja e kishte përfunduar në pozitën e dytë, pas Hapoelit.

David Joseph i shënoi 31 pikë për Pejën. Brad Waldow i kishte 23 pikë për skuadrën kosovare. Ai u shqua edhe me 15 kërcime. Jalen Tate i realizoi 21 pikë. Por ka munguar kontributi më i madh i lojtarëve vendorë.

David Efiyani u dallua te Hapoeli me 28 pikë. Greg Whittington 9 i kishte 23 pikë e tetë kërcime. 18 pikë i shënoi Ben Moore.

Peja është edhe në finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Do të përballet me Trepçën.

Liga Ballkanike ka pasur telashe të mëdha. Stinorin e rregullt e përfunduan vetëm katër skuadra, nga shtatë sa kishin nisur garimin. Tri të tjera, duke përfshirë Bashkimin e Prizrenit, kanë ndalur në gjysmë garimin.

Peja për herë të parë ishte në finale të Ligës Ballkanike. Kjo ishte liga e parë që hapi dyert për skuadrat kosovare. Por në vitet e fundit mezi ka ekzistuar, ndërsa niveli i skuadrave ishte jo i duhuri.

Artikuj të ngjashëm