Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Peja vazhdon me fitore në BIBL

Skuadra e Pejës ka vazhduar me fitore në Ligën Ballkanike (BIBL). Të martën, Peja ka triumfuar ndaj ekipit nga Bullgaria, Beroe. Dueli i luajtur në palestrën “Karagaçi” ka përfunduar me fitoren e thellë të skuadrës vendase me shifrat 125:93.

Për Pejën, kjo është fitorja e tetë në pjesën e rregullt të këtij sezonit karshi dy humbjeve në dhjetë ndeshje të luajtura.

Peja ishte superiore në dy çerekët e parë, ku në pushim shkoi me një epërsi prej 34 pikësh (74:40). Epërsia e krijuar në dy periudhat e para, i mundësoi që ta mbajë avantazhin e thellë edhe në dy çerekët e fundit për ta mbyllur ndeshjen me mbi 30 pikë dallim.

Hiq më pak se shtatë lojtarë te Peja, e kanë përfunduar ndeshjen me pikë dyshifrore. Megjithatë, më i dalluari ishte Jalen Tate më 22 pikë të shënuara. Në anën tjetër, te Beroe, që regjistroi humbjen e gjashtë, më efikasi ishte Danjel Purifoy me 32 pikë e 16 kërcime.

Si Peja ashtu edhe Beroe, do të paraqiten në “Final Fourin” e Ligës Ballkanike që do të mbahet në muajin tjetër, së bashku me Hapoel Beer Shevan dhe Milenijumin e Malit të Zi.

Aktualisht, vetëm këto katër ekipe kanë mbetur pjesë e BIBL-it, e cila javën e shkuar përjashtoi Bashkimin dhe Levskin, ndërsa Budivelnyku i Ukrainës u tërhoq nga garat për shkak të problemeve financiare.