Kanë kaluar më shumë se tre vjet që kur mesfushori ofensiv Dimitri Payet luajti për herë të fundit me fanellën e Përfaqësueses së Francës. Në moshën 35-vjeçare, vitet e tij më të mira janë pas tij dhe këmbët i lodhen më shpejt se dikur. Por, me një shans të fundit për të luajtur në një Kampionat Botëror, Payet po bën gjithçka për të fituar një vend në aeroplanin që do të transportojë kampionët në fuqi të botës, në Katar në muajin nëntor. Ai ka qenë i shkëlqyer si brenda, ashtu edhe jashtë fushës për Marseillen këtë sezon, pavarësisht se i është dashur të përballet me sfidat psikologjike të shkaktuara nga sulmet e përsëritura nga tifozët kundërshtarë.
Shpesh i tallur për prirjen e tij për të shtuar peshë, Payet ka ruajtur formën e tij fizike gjatë gjithë sezonit dhe ka qenë vendimtar në udhëheqjen e Marseillet drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve. Paraqitjet e Payetit nuk kanë kaluar pa u vënë re nga përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, i cili nuk po e mbyll derën për rikthimin e tij mes konkurrencës së ashpër në ekip për fazën e sulmit.
“Në një moment ai kishte një rol të rëndësishëm, madje edhe vendimtar”, tha Deschamps për gazetën lokale “La Provence”. “Ai mund të ftohet ende. Duket sikur nuk po them asgjë dhe nuk e thërras kurrë këtë lloj lojtari. Por kjo do të thotë diçka. Do të varet nga situata”.
Payet ka bërë 38 paraqitje dhe ka shënuar tetë gola me Francën. Lojtari i lindur në Reunion e filloi karrierën e tij ndërkombëtare në vitin 2010 dhe u bë një titullar i rregullt në ekipin që arriti në finalen e Kampionatit Evropian në vitin 2016. Ai humbi mundësinë për të fituar Botërorin “Rusia 2018” me Francën për shkak të një dëmtimi të pësuar në finalen e Ligës së Evropës atë vit.
Paraqitja e tij e fundit me Francën daton në tetor të vitit 2018, kur ai hyri si zëvendësues për 23 minuta në një miqësore kundër Islandës. Duke u përballur me konkurrencën e lojtarëve të kalibrit të Kilyan Mbappes, Karim Benzemas, Antoine Griezmannit dhe Wissam Ben Yedderit, Payet e di se shanset e tij për t’u futur në listën finale janë të pakta.
“Të jesh në skuadrën me 23 lojtarë do të ishte e mahnitshme, grupi sulmues është i jashtëzakonshëm”, tha Payet, i cili është kapiten i Marseilles. “Do të kthehesha te Franca për të lustruar këpucët e Karimit nëse është e nevojshme”.
Me pesë ndeshje të mbetura deri në fund të këtij sezoni në Ligue 1, Marseille duket se do të përfundojë në pozitën e dytë në tabelë pas liderit të arratisur Paris Saint-Germainit dhe automatikisht do të kualifikohet në Ligën e Kampionëve. Kampioni i nëntëfishtë i Francës mban një epërsi prej gjashtë pikëve ndaj Rennesit dhe Strasburgut përpara udhëtimit të së dielës në Reims.
Payet ka shënuar 12 gola - një më pak se në sezonin e tij më të mirë te Saint-Etienne më shumë se një dekadë më parë - dhe ka asistuar tetë herë në 29 paraqitje kampionale. Ai ishte sërish vendimtar këtë javë në shtyrjen e festës së titullit të kampionit për PSG-në, ndërsa ndihmoi Marseillen të triumfojë 3:2 ndaj Nantesit. Në këtë duel, që u luajt të mërkurën mbrëma, Payet shënoi dy herë nga penalltia.
PSG ka një epërsi prej 15 pikësh në krye të renditjes dhe po pretendon titullin e dhjetë, të cilin mund ta konfirmojë nëse nuk humbet në shtëpi kundër Lensit, të shtunën. Për të ndërtuar rastin e tij për një tentim në Kupën e Botës, Payet mund të tregojë gjithashtu paraqitjet e tij të shkëlqyera edhe në skenën kontinentale. Këtë muaj, goli i tij i fitores në Selanik arriti një triumf të përgjithshëm 3:1 ndaj PAOK-ut, për t’i siguruar Marseillet kualifikimin në gjysmëfinale të Ligës së Konferencës. Në gjysmëfinale, Marseille do të përballet me skuadrën e Feyenoordit.
“Objektivi ishte të futemi në mesin e katër skuadrave më të mira të Ligës së Konferencës dhe ne arritëm të kualifikohemi”, u shpreh Payet. “Pra, misioni është kryer. Tashmë, e synojmë finalen”.