Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Deschamps merr përgjegjësinë për pjesën e parë të papranueshme në ndeshjen e tij të fundit si përzgjedhës

Dechamps

Didier Deschamps ka pranuar përgjegjësinë për paraqitjen “e papranueshme” të Francës në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Anglisë. Ndeshja e luajtur në natën mes të shtunës e të dielës ishte e fundit në periudhën 14-vjeçare të Deschampsit si selektor i Francës. Dhe kishte përfundim të dhimbshëm. 

Anglia e fitoi 6:4 ndeshjen për vendin e tretë në Kupën e Botës. Anglezët shpërthyen në pjesën e parë duke i shënuar plot katër gola. Në pushim shkuan me epërsi 4:0.

Francezët u kthyen në pjesën e dytë, por ishte vonë për të përmbysur rezultatin në ndeshjen e 185-të dhe të fundit të Didier Deschamps në krye të përfaqësueses. 

“Është humbje, por ishim duke pësuar 4:0. Kemi ofruar një pjesë të parë të papranueshme”, ka thënë Deschamps. 

“Kishte reagim, me gjëra që kemi ditur se si t’i bëjmë mirë. Kemi pasur dy shanse për ta bërë rezultatin 4:4, por kemi shtyrë para më pak se që duhej. Këtë dimë se si ta bëjmë, por nuk e kemi bërë. Është faji im pasi nuk kam bërë atë që duhej në pjesën e parë”.

Edhe Cherki dhe Deschamps përsëri me probleme Botërori 2026 6 o. më parë Cherki dhe Deschamps përsëri me probleme

Deschamps ka thënë se paraqitja pas pushimit të paktën ktheu krenarinë, ndonëse ka pranuar se dëshpërimi sportiv i Francës mbetet i madh, pasi erdhi në Amerikë të Veriut për ta fituar titullin e tretë të botës.

“Do të ishte më mirë sikur të përfundonim në vendin e tretë. Kemi ardhur me shumë ambicie. Ia dolëm të bëjmë shumë gjëra të mira. Kemi dështuar në ndeshjen ndaj Spanjës. Spanjolët kanë ditur si të luajnë ndaj nesh. Ky është grup me kualitet të futbollit. Ka pasur mjaftueshëm talent për të marrë rezultatet”, ka thënë Didier Deschamps. “Në aspektin human, ishte aventurë e shkëlqyer. Tetë javë, ishte bukur”.

Humbja 2:0 nga Spanja në gjysmëfinale, i dha fund shpresave të francezëve për të luajtur në finalen e tretë rresht. Dhe Anglia dha një tjetër goditje në fund të epokës së trajnerit që e ktheu Francën në forcë dominante në futbollin botëror.

“Në aspektin sportiv dëshpërimi është prezent. Kemi pasur mundësi të sjellim emocione te dhjetëra miliona francezë. Është Kupa e Botës, nuk ka asgjë më të bukur”, ka thënë Didier Deschamps.

Federata e Futbollit e Francës e ka çmuar punën e Deschampsit, që ka fituar 120 ndeshje prej 185 sa ishte në postin e selektorit.

Edhe Franca drejt humbjes më të rëndë në histori në Botëror Botërori 2026 21 o. më parë Franca drejt humbjes më të rëndë në histori në Botëror

“Didier Deschamps mishëroi standarde të larta, seriozitet, ndjenjë kolektive dhe dashuri për fanellën blu”, tha federata në një deklaratë.

“Nën udhëheqjen e tij, për 14 vjet, përfaqësuesja e Francës rifitoi besueshmërinë, respektin dhe dashurinë, duke mbetur në nivelin më të lartë në botë”.

57-vjeçari e udhëhoqi Francën drejt titullit të botës në vitin 2018 dhe triumfit në Ligën e Kombeve në vitin 2021. Nën drejtimin e tij, Franca luajti në finale të Euro 2016 dhe në finale të Botërorit 2022.

Ai ishte edhe kapiten i Francës dhe gjatë një çerek shekulli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin francez. Ai e udhëhoqi si kapiten Francën drejt triumfit të parë në Botëror, në vitin 1998. E fitoi edhe Kampionatin Evropian dy vjet më pas. U bë vetëm i treti që e fitoi Kupën e Botës si lojtar dhe si trajner, kur “Les Bleus” triumfuan në Rusi në vitin 2018.

“Pak i kanë dhënë kaq shumë fanellës blu, si lojtar dhe më pas si trajner”, shkruan në komunikatën e federatës franceze.

Edhe Franca kërkon medaljen e bronztë për Deschampsin Botërori 2026 1 d. më parë Franca kërkon medaljen e bronztë për Deschampsin

Ndeshja e fundit nuk ofroi asgjë nga lojërat e kontrolluara dhe të disiplinuara që përcaktuan pjesën më të madhe të qëndrimit të Deschampsit në postin e përzgjedhësit. Por humbja kaotike nuk e zbeh trashëgiminë e Didier Deschamps, që e shndërroi Francën në një prej përfaqësueseve më stabile të futbollit modern.

“Faleminderit Didier”, ka shkruar në fund federata franceze.