Sport

Pasi mblodhi lojtarë yje nga Evropa, Liga saudite është gati për edicionin e ri

Liga e futbollit në Arabinë Saudite fillon të premten, pas shpenzimeve marramendëse për lojtarët me nam. Klubet arabe tërhoqën vëmendjen e botës gjatë afatit kalimtar të verës në Evropë. Qindra miliona dollarë nga pasuria e madhe e mbretërisë u shpenzuan për të plotësuar ambiciet e Ligës Pro Saudite, të mbështetur nga shteti, për të qenë një kampionat global. Rreth një miliard dollar në paga u refuzuan nga Lionel Messi dhe Kylian Mbappe, të cilët refuzuan ofertat për t'u bashkuar me yjet e tjera.

Tani fillojnë ndeshjet dhe pritet të shihet se çfarë do të ofrojnë lojtarët, si Karim Benzema, Sadio Mane dhe Riyad Mahrez, të cilët kanë ndjekur Cristiano Ronaldon në një mjedis të panjohur. Liga saudite ditë më parë publikoi një listë të marrëveshjeve për transmetimin e ndeshjeve të saj në më shumë se 130 tregje në mbarë botën, por jo edhe në SHBA.

Joshja e Ronaldos në janar nga klubi Al-Nassr ishte një shenjë e qartë e synimeve të mëdha nga liga, edhe pse portugezi së shpejti do të mbushte 38 vjet. Ndërkohë në qershor ambiciet e Ligës saudite u konfirmuan fuqishëm kur Benzema, fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2022, vendosi të largohej nga Real Madridi. Pas Benzemas, klubet saudite filluan të konfirmojnë ardhjet e lojtarëve të tjerë nga ligat më të fuqishme të Evropës për ta bërë shtrirjen e plotë të projektit të futbollit në Lindjen e Mesme.

Tarifat më të mëdha të transferimeve të paguara deri në 60 milionë dollarë kanë qenë për lojtarët e nivelit më të ulët, si Malcom nga Zeniti, Ruben Neves nga Wolverhamptoni e Sergej Milinkoviq-Saviq nga Lazio. Ronaldo raportohet se merr pagë prej 200 milionë dollarësh në vit dhe Benzema më shumë se 100 milionë dollarë. Por, liga ende nuk ka tërhequr trajnerë të nivelit të lartë. Steven Gerrard u bë trajner i ekipit Ettifaq, pasi reputacioni i tij u godit kur u shkarkua nga Aston Villa. Abha punësoi ish-trajnerin e Polonisë, Czeslaw Michniewicz, ndërsa ish-trajneri i Kroacisë, Slaven Biliq, u punësua nga Al-Fateh. Megjithatë, joshja e lojtarëve të mëdhenj nga Evropa nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Benzema, Mane dhe Mahrez përmendin rëndësinë e të luajturit në një vend me besim mysliman.

“Mamaja ime është myslimane si unë”, tha Mane. “Ajo ishte e para që insistoi të transferohem këtu”.

Mane është ndër katër të rekrutuarit nga skuadra fituese e Ligës së Kampionëve të Liverpoolit në vitin 2019, duke u bashkuar me Roberto Firminon, Fabinhon dhe kapitenin Jordan Henderson.

“Nxehtësia ka qenë e madhe dhe ka qenë e vështirë për t'u përshtatur, por stërvitjet kanë qenë të mira”, insistoi anglezi Henderson.

Temperaturat prej 40 gradë celsius parashikohen rreth orës 18:00, koha e fillimit për tri nga nëntë ndeshjet e kësaj fundjave. Henderson dhe skuadra Ettifaq e drejtuar nga Gerrard luajnë prej orës 21:00 të hënën, ku do të përballen me Ronaldon dhe Al-Nassr.

Ndeshja hapëse e së premtes e sheh Al-Ahlin që pret ekipin Al-Hazm në orën 21:00. Tek Al-Ahli do të debutojnë Mahrez, Firmino dhe portieri Edouard Mendy, i cili edicionin e shkuar ishte pjesë e Chelseat. Për edicionin e ri klubet arabe kanë shpenzuar gati 500 milionë euro për të joshur lojtarët dhe trajnerët nga Evropa. Gjasat janë të mëdha që tarifa të rritet ende, pasi afati kalimtar në Evropë nuk mbyllet deri në fund të këtij muaji.

Kampioni në fuqi i Arabisë Saudite, Al-Ittihad, krahas Benzemas është forcuar edhe me N’Golo Kanten e Fabinhon, ndërsa trajner është portugezi Nuno Espirito Santo. Ndërkohë Al-Nassr, që humbi titullin në fund, Ronaldos në ekip ia ka shtuar edhe Marcelo Brozoviqin e Alex Tellesin krahas senegalezit Mane. Pavarësisht këtyre transferimeve, trajneri i ri, Luis Castro, ka insistuar se nuk ka garanci për sukses në edicionin e ri.

“Disa po përpiqen të na udhëheqin përpara duke folur për yjet e shumta që i kemi në ekip dhe po insistojnë se duhet ta fitojmë patjetër titullin e kampionit”, u shpreh Castro. “Por mesazhi im për të gjithë ata është se Al-Nassr fiton falë grupit, jo individëve”.