Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Klubet e Premier Leagues po i frikësohen Ligës së Arabisë Saudite

Klubet elitare të Anglisë kanë filluar të frikësohen nga klubet e Arabisë Saudite. Te klubet angleze besojnë se shpenzimet e mëdha të arabëve mund t’ia marrin primatin Premier Leagues si liga më e fortë në botë.

Klubet e Premier Leagues janë të bindura se rritja e shpenzimeve të Arabisë Saudite do të vazhdojë edhe në dekadën e ardhshme. Liga Pro Saudite ka shpenzuar shumë gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa po përpiqet të transformohet në ligën më të fortë në botë. Madje liga arabe nuk po tregon shenja të ngadalësimit në këtë tentim.

Ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, ishte emri i parë i profilit më të lartë që u transferua në vendin e Lindjes së Mesme. Ronaldo në fillim të këtij viti iu bashkua ekipit Al-Nassr, pasi shkëputi kontratën me Manchester Unitedin. Zhvendosja e Ronaldos në Arabinë Saudite duket se pasur ndikim të madh, pasi në këtë afat kalimtar të verës shumë lojtarë të profilit të lartë janë larguar nga Evropa për në Lindjen e Mesme, shkaku i kontratave të majme.

Skuadrat kryesore të Anglisë janë në gjendje të financojnë mega-transfere të tjera duke paguar shuma të majme edhe në të ardhmen, por po frikësohen nga klubet saudite që tashmë kanë marrë primatin. Megjithatë, klubet angleze po shpresojnë që edhe liga saudite do të jetë vetëm një projekt i dështuar, sikur ai i Kinës. Liga kineze vite më parë kishte një stil të ngjashëm përpara se të detyrohej të kufizonte shpenzimet dhe të dështonte plotësisht në zhvillimin e futbollit lokal.

“Klubet e Premier Leagues po frikësohen se brenda një periudhe disavjeçare do ta humbin primatin karshi klubeve të Arabisë Saudite. Nëse Arabia Saudite vazhdon me këtë ritëm dhe me këto shpenzime, atëherë do të jetë liga më e fortë në botë”, ka thënë një zyrtar i një klubi elitar të Anglisë në kushte anonimiteti.

Pavarësisht shpresave të ekipeve angleze për dështim të Arabisë Saudite, duket se vendi i Lindjes së Mesme nuk e ka ndërmend ta ndalë ritmin e shpenzimeve. Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF), së bashku me ekipet kryesore të vendit Al-Nassr, Al-Hilal, Al-Ahli dhe Al-Ittihad po duan të ruajnë qëndrueshmërinë në sjelljen e emrave të mëdhenj për një të ardhme të ndritur të ligës saudite. Veprimet e tyre me sa duket i kanë vendosur skuadrat e Premier League në dyshime se kontratat e ekipeve saudite mund t’i joshin edhe futbollistët më të njohur të kampionatit anglez.

Edhe Pasi mblodhi lojtarë yje nga Evropa, Liga saudite është gati për edicionin e ri Sport Pasi mblodhi lojtarë yje nga Evropa, Liga saudite është gati për edicionin e ri

Mesfushori Jordan Henderson u largua nga Liverpooli për 15 milionë euro për të firmosur me ekipin Al-Ettifaq. Ai do të jetë lojtari anglez më i paguar në futboll. Henderson ka pagë javore prej 700 mijë funtesh. Largimi i tij nga futbolli anglez u pasua nga ai i sulmuesit të krahut, Riyad Mahrez, i cili u largua nga Manchester City, me të cilin fitoi “tripletën” edicionin e kaluar. Mahrez firmosi me ekipin Al-Ahli që pagoi 40 milionë euro për kartonin e tij, duke i dhënë fund një qëndrimi jashtëzakonisht të suksesshëm pesëvjeçar në “Etihad Stadium”.

Së fundmi trajneri i Cityt, Pep Guardiola, paralajmëroi për fuqinë financiare të Arabisë Saudite për të joshur futbollistët më të mirë në Angli, duke thënë: “Disa muaj më parë kur Cristiano Ronaldo ishte i vetmi që shkoi atje, askush nuk mendonte se do të ishin kaq shumë lojtarë tjerë të mirë që do ta përcillnin. Në të ardhmen do të ketë më shumë dhe kjo është arsyeja pse klubet duhet të jenë të vetëdijshme për atë që po ndodh. Arabia Saudite nuk ka të bëjë me kërcënim, është një realitet. Arabët duan të krijojnë një ligë të fortë dhe deri më tani duket që mund ta bëjnë këtë”.

Lojtarë të tjerë të njohur që janë larguar nga Evropa për në Arabinë Saudite janë: Karim Benzema, Sadio Mane, N’Golo Kante, Marcelo Brozoviq, Fabinho, Edouard Mendy, Ruben Neves e shumë të tjerë. Kësaj liste mund t’i shtohen edhe disa yje të tjera deri në fund të këtij muaji, kur edhe mbyllet afati kalimtar në Evropë.