Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Arabia Saudite vazhdon përpjekjet për angazhimin e futbollistëve me emër

Dështimi për ta bindur Lionel Messin nuk e ka zbehur përpjekjen ambicioze të Arabisë Saudite për të angazhuar futbollistë të mëdhenj. Mbretëria e pasur me naftë po përpiqet të shndërrohet në destinacion interesant për lojtarët kryesorë të botës.

Pasi kanë joshur dy nga yjet më të mëdhenj të sportit, Cristiano Ronaldon dhe Karim Benzeman, sauditët po synojnë një mori lojtarësh të tjerë të profilit të lartë nga ligat më të mira të Evropës.

Fituesi i Kupës së Botës dhe Ligës së Kampionëve, N'Golo Kante, u bë lojtari i radhës që vendosi të transferohet në Pro Ligën fitimprurëse, duke iu bashkuar Benzemas në Al-Ittihad.

“Është pjesë e përpjekjeve të klubit për të vendosur veten si një zgjedhje kryesore për lojtarët e klasit botëror në Ligën Profesionale Saudite”, tha Al-Ittihadi në një deklaratë.

Messi zgjodhi Inter Miamin në SHBA, në vend të Lindjes së Mesme, por sauditët po bëjnë presion për lojtarët e tjerë. Yjet e Premier Leagues si Hakim Ziyech, Kalidou Koulibaly, Bernardo Silva, Edouard Mendy dhe Ruben Neves priten ta ndjekin Kanten këtë verë. Chelsea i kishte ofruar Kantes kontratë të re për të qëndruar në “Stamford Bridge”, por edhe ai u largua për shkak të parave. Mesfushori francez raportohet se do të fitojë më shumë se 100 milionë dollarë gjatë qëndrimit në Arabi. Benzema do t’i fitojë 107 milionë dollarë në vit, kurse ka firmosur kontratë trevjeçare. Ronaldo iu bashkua ekipit Al-Nassr në dhjetor në një marrëveshje që besohet se e kap vlerën e 200 milionë dollarëve në vit.

Edhe Pasi mblodhi lojtarë yje nga Evropa, Liga saudite është gati për edicionin e ri Sport Pasi mblodhi lojtarë yje nga Evropa, Liga saudite është gati për edicionin e ri

Në kohën e asaj lëvizjeje mahnitëse nuk ishte e qartë se cili ishte plani i Arabisë Saudite përtej përdorimit të famës së Ronaldos për ta ngritur profilin e ligës. Që atëherë është bërë e qartë se ylli portugez ishte vetëm fillimi i një përpjekjeje rekrutimi, me synimin e Arabisë që ta bëjë ligën si destinacionin kryesor të lojtarëve më të mirë në këtë sport. Aktualisht liga saudite konsiderohet shumë më poshtë standardit të divizioneve më të larta në Evropë dhe Amerikën e Jugut.

Ronaldo hodhi poshtë kritikat për vendimin e tij, duke pretenduar në janar se liga është “shumë e fortë”. Është e pamundur të injorohen paratë që ofrohen nga ekipet saudite si një motivim kryesor për lojtarët. Pagat e raportuara dhe marrëveshjet komerciale për Ronaldon, Benzeman dhe Kanten mund t'u sjellin atyre një shifër të përbashkët prej gati 1 miliard dollarësh.

Vende të tjera kanë ndërmarrë projekte të ngjashme në të kaluarën. Major League Soccer në SHBA ka firmosur vazhdimisht me emra të mëdhenj, si David Beckham, Thierry Henry, Wayne Rooney, Zlatan Ibrahimoviq dhe tani Messi. Para kësaj, Liga e Futbollit të Amerikës së Veriut - më së shumti New York Cosmos - joshi superyje si Pele, Franz Beckenbauer, Bobby Moore dhe George Best. Kina shkoi në një “zbavitje” të ngjashme që nga viti 2015, duke nënshkruar me lojtarë, si Carlos Tevez, Alexandre Pato dhe Hulk, por ajo kampanjë ka dështuar. Duket se ky është vetëm fillimi i planeve të Arabisë Saudite për të rritur profilin dhe cilësinë e ligës së saj, duke zgjeruar ndikimin në sportin global. Fondi i Investimeve Publike të pasurisë sovrane të mbretërisë ka marrë shumicën e aksioneve në katër nga klubet kryesore të vendit, duke përfshirë Al-Ittihad dhe Al-Nassr, si pjesë e një projekti që inkurajon organizatat e sektorit publik të investojnë në sport. Ekipet e futbollit shihen si prioritet në iniciativën e mbështetur nga Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman.

Futbolli është tashmë jashtëzakonisht i popullarizuar në vend, me një audiencë të madhe televizive. Kërkesa për të drejtat e transmetimit ndërkombëtar mund të rritet si rezultat i bashkimit të më shumë lojtarëve me nam në ligë.

Ndërsa futbolli saudit duhet të përfitojë nga një fluks talentesh, klubet e Premier Leagues duken të gatshme për të fituar para. Ekipet e Anglisë e kanë pasur gjithnjë e më të vështirë të largojnë lojtarët e padëshiruar për shkak të pagave të larta që paguajnë. Vetëm një numër i kufizuar klubesh evropiane mund të maten me kontratat që ofrohen në Angli, që do të thotë se një numër lojtarësh duhet të huazohen, në vend që të shiten.

Chelsea, që shpenzoi rreth 630 milionë dollarë edicionin e kaluar, duhet të zvogëlojë ekipin këtë verë dhe është e dukshme që tre nga lojtarët – Ziyech, Koulibaly dhe Mendy – janë lidhur me kalim në Arabinë Saudite.

Edhe Klubet e Premier Leagues po i frikësohen Ligës së Arabisë Saudite Sport Klubet e Premier Leagues po i frikësohen Ligës së Arabisë Saudite

“Premier League duhet të vendosë një embargo të menjëhershme për transferimet në Arabinë Saudite për të siguruar që integriteti i lojës të mos dëmtohet”, tha eksperti i futbollit Gary Neville për BBC.

Alex Telles i Manchester Unitedit dhe Thomas Partey i Arsenalit, janë emrat e fundit që do t'i shtohen listës së objektivave në Arabinë Saudite.