Sulmuesi i Al Nassrit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se Liga e futbollit në Arabi “është më e mirë” se Major League Soccer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se nuk ka plan të luajë në SHBA apo të kthehet në ndonjë ekip në Evropë.
Duke folur për media pas humbjes 5:0 në miqësoren ndaj Celta Vigos në Portugali, Ronaldo është pyetur nëse do të kalonte në SHBA sikur rivali i përbetuar, Lionel Messi, që u zyrtarizua të dielën tek Inter Miami.
“Saudi Liga është më e mirë se MLS-ja”, ka thënë Ronaldo. “Tani të gjithë futbollistët po vijnë këtu. Për një vit, shumë top lojtarë po vijnë në Arabinë Saudite”.
Ronaldo, u zëvendësua pas pjesës së parë kur rezultati ishte 0:0. “Hapa rrugën për në ligën saudite, dhe tani të gjithë po vijnë këtu”, ka shtuar ai.
Disa futbollistë me famë kanë ndjekur lëvizjen e Ronaldos drejt Arabisë Saudite, përfshirë Karim Benzeman nga Real Madridi e N’Golo Kanten nga Chelsea, që i janë bashkuar Al-Ittihadit.
Kapiteni i Portugalisë iu bashkua Al Nassrit në dhjetor, duke nënshkruar kontratë dy vjet e gjysmë, pas largimit nga Manchester Unitedi.
Edhe
Ronaldo do t’u përgjigjet kritikave në fund të edicionit
“Jam 100 për qind i sigurt se s’do të kthehem në ndonjë klub evropian. Jam 38-vjeçar tash”, ka thënë ai, shkruan ESPN. “Futbolli evropian ka humbur shumë në kualitet. E vetmja që është e vlefshme dhe po ecën mirë është Premier Liga angleze. Ata janë shumë larg prej ligave të tjera”.
Rivaliteti i madh i Ronaldos me Messi që nga koha në La Liga, u përfol se do të rikthehet edhe në Arabinë Saudite, para se argjentinasi të kompletonte kalimin në Inter Miami, duke nënshkruar kontratë deri më 2025.