Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pas Olimpiadës, Kina synon organizimin e Botërorit në futboll

Pasi organizoi të dyja olimpiadat, atë verore dhe dimërore, Kinës i ka mbetur vetëm edhe një ngjarje e madhe sportive për ta organizuar – Kampionatin Botëror të futbollit.

Adhuruesi i madh i futbollit, presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka paralajmëruar se synimi i tij nuk është vetëm ta fitojë Botërorin, por edhe ta organizojë. Kështu që shteti tashmë ka nisur me ndërtimin dhe rinovimin e stadiumeve për të bërë të mundur organizimin e ngjarjes së madhe.

Mirëpo, analistët insistojnë se ëndrra e presidentit Xi përballet me një numër të pengesave, duke filluar nga paraqitja tejet e dobët e Përfaqësueses së Kinës. Kina është kualifikuar vetëm një herë në Botëror, në vitin 2002, kur dështoi ta fitojë të paktën një pikë dhe të shënojë një gol. U eliminua në fazën e grupeve me tri humbje.

Kina kishte shpresa të mëdha për kualifikim në Botërorin e këtij viti, por ato u shuan pas humbjes 3:1 nga Vietnami.

Si organizatore e ngjarjes së madhe, Kina do të kualifikohej automatikisht për Botëror. Por ekipi aktual i këtij vendi do të ishte në rrezik për t’u poshtëruar tërësisht.

Edhe Pse një superfuqi si Kina dështon në sportin më të popullarizuar në botë? Futboll Pse një superfuqi si Kina dështon në sportin më të popullarizuar në botë?

“Shumica besojnë që Kina nuk dëshiron ta organizojë Kampionatin Botëror derisa të bindet se ka ekip që mund të ketë një paraqitje të mirë dhe nuk do të poshtërohet në këtë ngjarje”, ka thënë Cameron Wilson, ekspert i futbollit të Kinës.

Futbolli në Kinë u bë i famshëm para disa vjetësh kur skuadrat e Superligës filluan të shpenzonin shuma të mëdha parash në joshjen e trajnerëve dhe lojtarëve të huaj. Mirëpo, ato ditë tashmë kanë marrë fund, për shkak se ekipet po përballen me vështirësi financiare dhe disa prej tyre tashmë janë shuar. Përfaqësuesja kineze ka kohë që ka filluar të natyralizojë lojtarë, shumicën prej tyre nga Brazili, por sërish ka mbetur në pozitën e 75-të në ranglistën e FIFA-s.

Edhe Katari ishte një përfaqësuese e vogël futbolli në vitin 2010 kur iu dha e drejta e organizimit të Botërorit. Mirëpo, Katari ka përparuar dukshëm që nga ajo kohë, duke u ngjitur nga pozita e 113-të në të 52-n, në të cilën gjendet tani.

Wilson vlerëson se Kina duhet të bëjë ndryshime rrënjësore nëse dëshiron të bëhet vend me nivel serioz të futbollit.

“Aktualisht futbolli kinez po vdes sepse kontrollohet nga forcat politike dhe jo sportive”, tha ai. “Kina duhet të ulë presionin mbi njerëzit e zakonshëm në mënyrë që ata të jenë më të gatshëm t'i lënë fëmijët e tyre të kalojnë kohë edhe në futboll krahas detyrave të shtëpisë. Kinezët gjithashtu duhet të zëvendësojnë strukturën e menaxhimit të futbollit, që t’u lejohet njerëzve të futbollit të marrin vendime për sportin, e jo politikanët”.

Futbolli është gjetur në një pikë të vështirë vitet e fundit. Pushteti u ka kërkuar lojtarëve që të heqin ose mbulojnë tatuazhet dhe ndonjëherë të bashkohen në kampe ushtarake për stërvitje.

Edhe Lojërat Olimpike largojnë vëmendjen nga gjendja e çuditshme e futbollit kinez Sport Lojërat Olimpike largojnë vëmendjen nga gjendja e çuditshme e futbollit kinez

Mads Davidsen, ish-drejtor teknik i skuadrës së Superligës, Shanghai Port, beson se Kina ka “lehtësirat dhe logjistikën për të trajtuar ngjarje të mëdha”. Sipas tij, Lojërat Verore të vitit 2008 dhe ato Dimërore që përfunduan të dielën, janë dëshmi për këtë. Ai pret që Kina të bëjë një ofertë për Kupën e Botës të vitit 2034 ose 2038.

“Kur isha në Kinë, i pata këshilluar që të bëjnë një plan dhjetëvjeçar dhe të harrojnë Botërorin, por nuk më dëgjuan. Ata nuk bëjnë investime në plane afatgjate pasi fokusohen shumë në sukses të menjëhershëm dhe ky është problemi për futbollin”, tha ai.

Kina arriti të tërheqë interesim të madh për sportet dimërore, pasi e fitoi organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit dhe ishte e treta në tabelën e medaljeve – padyshim paraqitja më e mirë e këtij shteti në këtë ngjarje. Ekspertët kanë thënë se Kina edhe një herë dëshmoi se e ka kapacitetin për të nxitur interes masiv kur është e nevojshme. Kështu që përkundër rënies së futbollit kinez dhe problemeve të mëdha të klubeve, Philippe Troussier beson se Përfaqësuesja e Kinës po ngrihet nga viti në vit.

“Futbolli kinez ka evoluar shumë, me akademi të klubeve që po investojnë në të rinjtë”, tha Troussier, i cili ka punuar për shumë ekipi kineze dhe tani është në krye të Përfaqësueses U20 të Vietnamit.

Por francezi paralajmëroi se nuk ka ende infrastrukturë apo trajnerë të mjaftueshëm. Njohës të tjerë paralajmëruan se vetëm një ekip konkurrues nuk mjafton për një ofertë të suksesshme të Kupës së Botës.

Edhe Presidenti kinez po i tregon Trumpit se kush i ka kartat në dorë Botë Presidenti kinez po i tregon Trumpit se kush i ka kartat në dorë

Bo Li, profesor i menaxhimit të sportit në Universitetin e Miamit, tha se organi qeverisës botëror i futbollit, FIFA, është e interesuar t'ua japë organizimin e Botërorit vendeve pritëse më të hapura se Kina.

"Konkurrenca është shumë më e fortë në krahasim me ngjarjen olimpike. Formati i votimit për organizimin e Botërorit kërkon që vendi i interesuar të ketë një marrëdhënie të shkëlqyer me shumicën e anëtarëve të FIFA-s. Duke pasur parasysh marrëdhëniet aktuale diplomatike, nuk duket se Kina mund të punojë me ndonjë vend fqinj për një Botëror të përbashkët”, paralajmëroi ai.