Botë

Kina e Xisë do rol më të madh global

Xi gjithashtu bëri thirrje që vendi "të arrijë në mënyrë të palëkundur" qëllimin e "ribashkimit kombëtar", një referencë ndaj pretendimit të Pekinit se Tajvani, demokracia ishullore e vetëqeverisur, është pjesë e territorit të tij dhe është i detyruar të bashkohet me Kinën, me forcë nëse është e nevojshme

Presidenti Xi Jinping bëri thirrje të hënën që Kina të luajë një rol më të madh në menaxhimin e çështjeve globale, pasi Pekini kreu një puç diplomatik si mikpritës i bisedimeve që prodhuan një marrëveshje ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit për të rivënë marrëdhëniet diplomatike.

Xi nuk dha detaje për planet e Partisë Komuniste në pushtet në një fjalim në legjislaturën ceremoniale të Kinës. Por Pekini ka qenë gjithnjë e më këmbëngulës që kur ai mori pushtetin në vitin 2012 dhe bëri thirrje për ndryshime në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në entitete të tjera që thotë se nuk pasqyrojnë dëshirat e vendeve në zhvillim.

Kina duhet "të marrë pjesë në mënyrë aktive në reformën dhe ndërtimin e sistemit të qeverisjes globale" dhe të promovojë "iniciativat globale të sigurisë", tha Xi, lideri më i fuqishëm i vendit në dekada.

“Energji pozitive paqes...”

Kjo do t'i shtojë "energji pozitive paqes dhe zhvillimit botëror", tha Xi.

Të premten Xi u emërua për një mandat tjetër në presidencën ceremoniale, pasi theu traditën në tetor dhe i dha vetes një mandat të tretë pesëvjeçar si sekretar i përgjithshëm i partisë në pushtet, duke e vënë veten në rrugën e duhur për t'u bërë lider përgjithmonë.

Kongresi Popullor Kombëtar të dielën çimentoi dominimin e Xisë duke miratuar emërimin e besnikëve të tij si kryeministër dhe udhëheqës të tjerë të qeverisë në një ndryshim që ndodh një herë në dekadë. Xi ka lënë mënjanë rivalët e mundshëm dhe ka ngarkuar radhët e larta të partisë në pushtet me mbështetësit e tij.

Kryeministri i ri, Li Qiang, u përpoq të hënën të qetësonte sipërmarrësit, por nuk dha detaje të planeve të mundshme për të përmirësuar kushtet pasi Qeveria e Xisë kaloi dekadën e fundit duke ndërtuar kompani shtetërore që kontrollojnë bankat, energjinë, çelikun, telekomunikacionin dhe industri të tjera.

Komentet e Lisë u bënë jehonë premtimeve të liderëve të tjerë kinezë gjatë gjashtë muajve të fundit për të mbështetur sipërmarrësit që krijojnë vende pune dhe pasuri. Ata janë zotuar të thjeshtojnë rregulloret dhe taksat, por nuk kanë dhënë asnjë indikacion se planifikojnë të frenojnë kompanitë shtetërore që sipërmarrësit ankohen se ua marrin fitimet.

Image
Në këtë foto të publikuara nga Agjencia e Lajmeve Xinhua, presidenti iranian Ebrahim Raisi (majtas) shtrëngon duart me presidentin kinez, Xi Jinping, përpara takimit të tyre në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin

Sulmi ndaj “Alibabës”

Partia në pushtet do t'i "trajtojë ndërmarrjet e të gjitha llojeve të pronësisë në mënyrë të barabartë" dhe "të mbështesë zhvillimin dhe rritjen e ndërmarrjeve private", tha Li.

“Kuadrot tona udhëheqëse në të gjitha nivelet duhet të kujdesen sinqerisht dhe t'u shërbejnë ndërmarrjeve private”, tha ai.

Zyrtarët kinezë më herët treguan se goditjet kundër monopolit dhe të sigurisë së të dhënave që rrëzuan dhjetëra miliarda dollarë nga vlera e tregut të aksioneve të gjigantit të tregtisë elektronike “Alibaba Group” dhe kompanive të tjera të teknologjisë po përfundonin. Por sipërmarrësit u tronditën sërish në shkurt kur një bankier, i cili luajti një rol kryesor në marrëveshjet e teknologjisë u zhduk. Kompania e Bao Fanit tha se "po bashkëpunonte në një hetim", por nuk dha detaje.

Li tha se Pekini do të bëjë prioritet krijimin e vendeve të punës, ndërsa përpiqet të ringjallë rritjen ekonomike që ra në 3% vitin e kaluar, niveli i dytë më i ulët në dekada. Objektivi zyrtar i rritjes për këtë vit është "rreth 5%”.

Kryeministri shprehu besimin se Kina mund të përballojë tkurrjen e fuqisë punëtore. Numri i punëtorëve të mundshëm nga 15 deri në 59 vjeç ka rënë me më shumë se 5% nga kulmi i vitit 2011, një rënie jashtëzakonisht e papritur për një vend me të ardhura mesatare.

Li tha se ndërsa Kina po humb "dividendin demografik" të punëtorëve të rinj, arsimi më i mirë do të thotë se ajo po fiton një "dividend talenti". Ai tha se rreth 15 milionë njerëz ende hyjnë në fuqinë punëtore çdo vit.

"Burimet e bollshme njerëzore janë ende avantazhi i jashtëzakonshëm i Kinës", tha ai.

Shqetësimet e rivalëve

Jashtë vendit, Pekini ka fuqizuar gjithashtu peshën në rritje të Kinës si ekonomia e dytë më e madhe për të promovuar iniciativat e tregtisë dhe ndërtimit për të cilat Uashingtoni, Tokio, Moska dhe Nju-Delhi shqetësohen se do të zgjerojë ndikimin strategjik në hapësirën e tyre.

Këto përfshijnë iniciativën shumë-miliardadollarëshe "Një brez dhe një rrugë" për të ndërtuar portet, hekurudhat dhe infrastrukturën tjetër të lidhur me tregtinë përgjatë një harku vendesh nga Paqësori Jugor përmes Azisë në Afrikë dhe Evropë. Kina gjithashtu po promovon iniciativat e tregtisë dhe sigurisë.

Qeveria e Xisë tronditi Shtetet e Bashkuara dhe Australinë në fillim të vitit 2022, kur nënshkroi një marrëveshje me Ishujt Solomon që do të lejonte që anijet e marinës kineze dhe forcat e sigurisë të vendoseshin në vendin e Paqësorit Jugor.

Ministri i Jashtëm, Qin Gang, paralajmëroi Uashingtonin javën e kaluar për "konflikt dhe konfrontim" të mundshëm nëse Shtetet e Bashkuara nuk ndryshojnë kursin në marrëdhëniet që janë tensionuar nga konfliktet mbi Tajvanin, të drejtat e njeriut, Hong-Kongun, sigurinë dhe teknologjinë.

Xi bëri thirrje të hënën për zhvillim më të shpejtë të teknologjisë dhe më shumë vetëbesim në një fjalim të ngarkuar me terma nacionalistë. Ai iu referua tetë herë "përtëritjes kombëtare", ose rikthimit të Kinës në prijatare e merituar si udhëheqëse ekonomike, kulturore dhe politike.

Ai tha se përpara se partia në pushtet të merrte timonin qeveritar në vitin 1949, Kina ishte "reduktuar në një vend gjysmëkolonial, gjysmëfeudal, subjekt i ngacmimeve nga vendet e huaja".

“Ne më në fund e kemi larë poshtërimin kombëtar dhe kinezët janë zot të fatit të tyre”, tha Xi. "Kombi kinez është ngritur, është bërë i pasur dhe po bëhet i fortë".

Xi gjithashtu bëri thirrje që vendi "të arrijë në mënyrë të palëkundur" qëllimin e "ribashkimit kombëtar", një referencë ndaj pretendimit të Pekinit se Tajvani, demokracia ishullore e vetëqeverisur, është pjesë e territorit të tij dhe është i detyruar të bashkohet me Kinën, me forcë nëse është e nevojshme.

Përktheu: Forca Jashari