Sport

Pas medaljeve ballkanike, vëllezërit Bajoku synojnë medalje në Evropian

Ishte në dyshim pjesëmarrja e boksierëve kosovarë në Kampionatin Ballkanik që të dielën përfundoi në Zagreb të Kroacisë. Delegacioni kosovar vetëm në momentet e fundit u pajis me viza për hyrje në Kroaci.

Mbetja eventuale jashtë Ballkanikut do të ishte humbje e madhe për ekipin e Kosovës në boks. Sidomos për vëllezërit Bajoku, Shpejtimin e Bashkimin. Ata të dielën i siguruan Kosovës medalja të arta ballkanike.

Gara regjionale në Zagreb ishte për seniorë, ndërsa garuan boksierë nga dhjetë shtete. Ishin boksierët më të mirë nga Ballkani dhe suksesi i vëllezërve Bajoku vlerësohet me shumë peshë. Sipas përgjegjësve, dëshmon për rritjen e boksit kosovar.

Shpejtim Bajoku boksoi në kategorinë deri 64 kilogramë. Në finale fitoi ndaj Rexhildo Zenelit të Shqipërisë. Shpejtimi fitoi me rezultatin bindës, 5:0.

Në çerekfinale, Shpejtim Bajoku fitoi ndaj boksierit vendas, Filip Poturoviq. Në gjysmëfinale e kaloi sllovenin Veber Nik Nikolov. Dhe të dielën e fitoi bindshëm edhe finalen, duke konfirmuar vlerat që ka.

“Jam shumë i kënaqur për suksesin, përkatësisht medaljen e artë ballkanike. Kemi qenë shumë të lodhur nga rruga, kemi arritur vetëm në 1 të natës, një ditë para fillimit të kampionatit. Të tri meçet ishin të mira. Boksierët ishin të nivelit të lartë dhe kampionati ishte shumë i fortë. Kemi qenë të përgatitur, kemi punuar shumë mirë, por vizat i kemi marrë shumë vonë dhe kemi arritur me vonesë. Përkundër lodhjes nga udhëtimi kemi dëshmuar boks të mirë”, ka thënë Shpejtim Bajoku të dielën mbrëma për KOHËN.

Sipas tij, Ballkaniku ka dëshmuar se boksierët kosovarë po punojnë mirë dhe janë në ngritje të vazhdueshme. Atë e gëzon fakti që edhe orari i garave është stabilizuar pas telasheve që solli pandemia.

“Do të vazhdojmë me punë të madhe. Synimi i ardhshëm është medalja në Evropian që mbahet pas një muaji. Kemi dëshmuar se kemi cilësi dhe është koha për medalje evropiane. Evropiani është në Itali dhe atje udhëtojmë për medalje. Po bëjmë punë të madhe për ta kthyer boksin aty ku e ka vendin”, ka shtuar Shpejtim Bajoku.

Shpejtimi është i madhi prej vëllezërve Bajoku. Por është Bashkimi që ka nisur me boks, shtatë vjet më parë. Ai më pas e mori me vete vëllanë. Të dy janë pjesë e klubit Gollaku, ndërsa trajner e kanë Besim Brahimin. Vëllezërit Bajoku janë nga Bardhodhi.

Bashkim Bajoku në gjysmëfinale është dashur të përballet me boshnjakun Haris Agoniq. Ndaj tij kishte fituar bindshëm në dhjetor të vitit të kaluar në një turne në Sarajevë. Dhe Agoniq hoqi dorë nga lufta duke mos dalë fare në ring. Kështu Bashkim Bajoku kaloi në finale. Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë ishte bindës. E mposhti serbin Rade Joksimoviq.

“Jam shumë i kënaqur natyrisht për fitoren dhe titullin ballkanik. Edhe në gjysmëfinale kam qenë i gatshëm për fitore. Por boksieri boshnjak duke ditur nivelin tim, nuk ka pranuar të dalë në ring. Ndaj tij kam fituar bindshëm në Sarajevë në fund të vitit të kaluar dhe ai refuzoi të dalë në ring. E ka ditur se e pret një humbje tjetër”, ka thënë Bashkim Bajoku për KOHËN.

“Finalja natyrisht ishte pak më emocionale. Kisha përballë boksierin nga Serbia dhe kam dominuar plotësisht. Fitorja është edhe më e ëmbël për faktin se serbët kanë reaguar që është dashur të përballen me Kosovën në finale. Por Kosova ka dëshmuar se kush është në boks”, ka theksuar boksieri kosovar.

Edhe Bashkim Bajoku e kërkon medaljen evropiane.

Image

“Në vitin 2019 isha i treti në Ballkan dhe tani jam i pari. Më ka munguar përvoja atëherë, sa po kisha nisur me meçe. Tani kam përvojë dhe jam i motivuar për suksese të reja. Në të ardhmen synojmë suksese edhe më të mëdha. Sukseset tona nuk do të ndalen. Jemi duke punuar shumë për suksese të reja. Tani menjëherë vazhdojmë punën për Evropian që e kemi pas një muaji në Itali dhe ku shpresojmë të fitojmë medalje”, ka theksuar Bashkim Bajoku.

Të kënaqur me suksesin e tyre janë shprehur edhe në Federatën e Boksit të Kosovës e po ashtu trajneri Besim Brahimi.

Medalje të bronzta në Ballkanik fituan Besart Pireva e Patriot Behrami. Por në gara ku konkurrenca nuk është më e madhja, dallimi mes së artës e së bronztës është shumë i madh. Për këtë arsye, suksesi i vëllezërve Bajoku është ai që duhet veçuar.