Një vendim diskutabil i dha fund paraqitjes së Shpëtim Bajokut në Kampionatin Ballkanik të boksit që po mbahet në Albena të Bullgarisë.
Të shtunën, Bajoku u përball me ukrainasin Yaroslav Mykhalushko në gjysmëfinale të kategorisë deri 67 kilogramë. Ukrainasi dha më shumë goditje në raundin e parë dhe katër prej pesë gjyqtarëve vlerësuan në të mirë të tij.
Në raundin e dytë Bajoku nisi furishëm. Boksierët shkëmbyen goditje të shumta, por më shumë po shfaqte Bajoku. 1:49 sekonda para fundit, gjyqtarja në ring e ndali luftën në mënyrë që Mykhalushkos t’i ofrohej ndihma mjekësore. Ukrainasi e kishte arkadën e lënduar dhe gjaku nuk po i ndalej. Me vendim të mjekes, gjyqtarja ndërpreu meçin. Për bazë u mor vlerësimi i gjyqtarëve deri në atë moment dhe kështu fitorja i takoi ukrainasit.
“Jam i dëshpëruar, natyrisht. Por kështu vendosën gjyqtarët, nuk kisha se çka të bëjë. Isha në moment të mirë, po kthjellesha. Por kundërshtari dëmtoi arkadën dhe gjyqtarët vendosën për ta ndërprerë meçin dhe të vendosej me pikët që ishin deri atëherë. Besoj se isha në rrugë të mirë”, ka thënë Bajoku për KOHËN.
Ai solli moment krenarie nga Albena, me fitoren ndaj serbit Semiz Aliçiq në meçin e parë. Por të shtunën i mungoi fati. Është diskutabil edhe vendimi për të përfshirë boksierët e Ukrainës në Ballkanik.
Me arritjen në gjysmëfinale, Bajoku ka siguruar medaljen e bronztë.
Të shtunën boksoi edhe Patriot Behrami. Në duelin e parë në Ballkanik, Behrami humbi nga boksieri i Rumanisë, Dorulet Tiu. Trajnerët e Kosovës mbetën të dëshpëruar pasi gjyqtarët dhanë vlerësimin për fituesin. Meçi ishte i vlefshëm për kategorinë deri 71 kg.