Sport

Pas Kupës, Llapi i vendosur për ta fituar titullin

Trajneri Tahir Batatina mbante një fletore në dorë. Kishte të shkruar gjithë programin e përgatitjeve për stinorin pranveror, të cilin Llapi synon ta mbyllë në vendin e parë. Është edhe synimi kryesor i llapjanëve pas triumfit në Kupë sezonin e shkuar. Llapi është në vendin e katërt me 29 pikë, gjashtë pikë larg vendit të parë, Gjilanit. Për ta shkrirë epërsinë e pikëve me Gjilanin, Batatina kërkon angazhim maksimal nga futbollistët e tij.

Angazhimi i futbollistëve nuk ka munguar as në stërvitjen e së shtunës, që ishte e katërta pas pushimit. Si trajneri Batatina, ashtu edhe futbollistët e klubit “bardhekaltër”, e dinë mirë se i pret punë shumë e vështirë, por jo e pamundur.

Në stërvitjen e mbajtur në Dumosh të Podujevës, të pranishëm ishin 30 lojtarë. Meksikani Francisco Rivera, kroati Marijan Çoriq dhe braziliani Bianor Neto, pritet t’i bashkohen grupit në ditët në vijim. Trajneri Batatina thotë se skuadra e tij është e kompletuar.

“Mendoj që Llapi e ka bërë ekipin me kohë. Më ka kushtuar në fillim të kampionatit që të mos kem rezultatet e dëshiruara për shkak të komponimit të skuadrës. Por besoj se ardhjet në skuadër do të vijnë në shprehje në stinorin pranveror. Mund të ketë ndonjë lojtar apo dy, që mund të largohen vetëm në formë huazimi për të luajtur”, ka thënë Batatina të shtunën për KOHËN.

Trajneri Batatina shtoi se skuadra do të stërvitet në Dumosh deri më 20 janar, ndërsa më pas udhëton në Antalia. Në Turqi do të qëndrojë deri në fillim të muajit shkurt. Do t’i luajë pesë ndeshje miqësore. Ballafaqohet me Olimp Dolgoprundyn, Akademija Pandevin, Neftchy Ferganan, Akhmat Groznyn dhe CSKA-në e Sofjes.

“Në vitet që lamë pas dhe vitin e fundit, Llapi arriti t'i fitojë tre trofe, dy trofe të cilët janë shumë të rëndësishëm. I rëndësishëm është edhe trofeu me diasporën. Mendoj që Llapi është pjekur si skuadër, është pjekur me organizim të klubit. Mendoj që do të jetë një vit jo i lehtë, por një vit që mund t'i arrijmë objektivat. Llapit i mungon titulli i kampionit, do ta bëjmë maksimumin që ta arrijmë atë objektiv. Me rikthimin e Llapit në stadiumin tonë "Zahir Pajaziti", ku më 14 shkurt do të luhet ndeshja e parë e cila do të jetë zyrtare, mendoj që do të jetë një Llap krejtësisht më ndryshe. Na ka munguar shumë terreni jonë, na kanë munguar shumë tifozët në stadiumin tonë”, theksoi Batatina.

Se do të jetë garë e vështirë për titull e kanë pranuar edhe vetë futbollistët e klubit. Kapiteni Bujar Idrizi thotë se puna e madhe mund t’u shpërblehet në fund.

“Djemtë janë të etur për fitore, për tituj e kupa, si dhe për dalje në Evropë. Shpresojmë që me punë dhe disiplinë do të jemi aty ku ndoshta edhe e meritojmë. Kemi bërë një punë shumë të mirë, kemi marrë disa lojtarë të rinj, të cilët shpresoj të adaptohen sa më shpejt në skuadër, në mënyrë që të na ndihmojnë drejt qëllimeve”, theksoi Idrizi.

Arbnor Ramadani, që zuri vend në 11-shen më të mirë të FFK-së në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2021”, përmendi tri skuadra që janë kandidate serioze për titull.

“Të gjitha skuadrat kanë kualitet dhe mendoj që Ballkani, Drita, Gjilani janë kandidatë seriozë për kreun e tabelës”, u shpreh ai.

Në pjesën e parë të sezonit, vlerësime pozitive ka marrë edhe qendërmbrojtësi, Ilir Krasniqi. Krasniqi u shpreh i lumtur për besimin që e ka marrë nga trajneri i tij.

“Bashkëlojtarët më ndihmojnë dhe janë shumë të mirë. Trajneri më ka ndihmuar shumë. Ma ka dhënë mundësinë dhe unë e kam shfrytëzuar atë. Besoj se edhe trajneri është i kënaqur me mua dhe shpresoj që të vazhdoj kështu deri në fund të sezonit”, përfundoi Krasniqi.

Llapi e nis stinorin pranveror me ndeshjen e Kupës së Kosovës. Në 1/8 e finales luan në udhëtim te Ferizaj, në fillim të muajit shkurt.

 

Trajneri Tahir Batatina mbante një fletore në dorë. Kishte të shkruar gjithë programin e përgatitjeve për stinorin pranveror, të cilin Llapi synon ta mbyllë në vendin e parë. Është edhe synimi kryesor i llapjanëve pas triumfit në Kupë sezonin e shkuar. Llapi është në vendin e katërt me 29 pikë, gjashtë pikë larg vendit të parë, Gjilanit. Për ta shkrirë epërsinë e pikëve me Gjilanin, Batatina kërkon angazhim maksimal nga futbollistët e tij.

Posted by Sporti në KTV on Saturday, January 8, 2022