Ishte një edicion shumë i gjatë, por edhe shumë i vështirë për skuadrën e Llapit. Llapi e humbi finalen e Kupës, ndërsa mbijetesën në Superligë e siguroi nëpërmjet barazhit dhe atë vetëm pas gjuajtjes së penalltive.
Ndeshjen vendimtare për mbetje në elitën e futbollit kosovar Llapi e fitoi të shtunën ndaj Vushtrrisë, 4:1 në penallti.
Ndeshja e barazhit ishte përmbyllëse për edicionin 2024/25. Një edicion për t’u harruar, thotë trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
“Një edicion për t’u harruar. Një edicion i cili nga dje për mua është i harruar. U kam thënë edhe djemve nga sot të mos e mendojnë të kaluarën. Ata që mendojnë të kaluarën, nuk kanë të ardhme. Duhet ta mendojmë të tashmen, se çka do të bëjmë tash”, tha Batatina për KOHËN të dielën.
Ai thotë se rrugës kishte shumë kundërshtarë. Insiston se pesë klube elitare “nuk e kanë dashur Llapin në Superligë”.
“Janë bërë të gjitha bashkë, por i kam mposhtur të gjitha aleancat dhe në fund kemi dalë triumfues - të mbesim pjesë e elitës”, ka theksuar Batatina.
Llapi në elitën e futbollit kosovar ishte kthyer në edicionin 2015/2016. Për një dekadë asnjëherë nuk ishte më i rrezikuar se këtë herë.
Batatina është i lumtur që Llapi siguroi mbijetesën.
“Për mua e rëndësishme është që jemi në Superligë. Skuadra ka qenë në finale të Kupës. Finalet nganjëherë nuk fitohen, por për çdo skuadër është ëndërr të paraqitet në finale. Ndoshta detajet kanë bërë që mos ta fitojmë. Jam i kënaqur me punën e futbollistëve dhe besoj se Llapi për sezonin e ardhshëm do të jetë skuadër shumë më solide”.
Batatina, që vlerësohet më shumë se trajner te Llapi, thotë se titulli mbetet qëllimi kryesor.
“Duhet të marrim mësim dhe të mos i përsëritim gabimet që i kemi bërë në këtë kampionat, gabime të cilat nuk i kemi bërë asnjëherë në 12 vjetët e kaluar. Dhe shpresoj që për 20 vjetët e ardhshëm nuk do të bëjmë gabimet e njëjta. Llapi do të jetë një skuadër shumë solide që do të luftojë për vendet e para dhe duke u paraqitur rregullisht në Evropë. Por pa harruar promovimin e lojtarëve të rinj. Ky është edhe qëllimi im”, ka deklaruar Batatina.
Për rezultatet e dobëta, sidomos në stinorin vjeshtor, Batatina një pjesë të fajit ia vë edhe vetes. Përmend edhe gabimet e gjyqtarëve. Ai po ashtu krahason Llapin me klubet e mëdha evropiane, Manchester Unitedin dhe Milanin.
Trajneri llapjan mburret me hapësirën që ua dha lojtarëve të rinj. Sipas tij, Llapi do t’i fitoj 1.5 milionë euro nga shitja e disa lojtarëve.
Sipas tij, Lecce e Serie A i ka bërë ofertë zyrtare Llapit për talentin Elvir Gashjani. Batatina ka theksuar se oferta kanë marrë edhe për Diar Vokrrin dhe Ardit Tahirin, ndërsa thekson se nuk mungon interesimi edhe për Arianit Hasanin.
“Për Elvirin kemi ofertë nga Serie A. Për Arditin kemi pranuar oferta nga Ukraina, kurse për Diar Vokrrin nga Kroacia. Për Vokrrin ka interesim shumë të madh nga dy klube kroate, të cilat e kanë përcjellë nga afër”.
Nën drejtimin e Batatinës, Llapi ka fituar dy Kupa dhe një Superkupë të Kosovës. Në Evropë nuk ka kaluar asnjë raund garash në tri paraqitje.