Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Paredes drejt Atleticos

Mesfushori Leandro Paredes do ta vazhdojë karrierën në La Liga të Spanjës. “AS” ka raportuar të enjten se Paredes gjatë kësaj vere do t’i bashkohet skuadrës së Atletico Madridit, pasi Juventusi ka refuzuar të blejë kartonin e tij.

Argjentinasi para fillimit të këtij edicioni u huazua për një vit nga Paris Saint-Germaini, por nuk bindi me paraqitjet e tij te skuadra italiane. Kështu që, me t’u larguar nga Juventusi, Paredes nuk do të kthehet te Parisi, por do të transferohet në Spanjë.

Mësohet se Atletico tashmë ka arritur marrëveshje me Parisin dhe për kartonin e Paredesit do të paguajë 10 milionë euro.

28-vjeçari, që ka kontratë me Parisin deri në vitin e ardhshëm, me ekipin spanjoll do të firmosë deri në verën e vitit 2027 me opsionin e vazhdimit.

Paredes këtë edicion ka 1 gol e 2 asistime në të gjitha garat.