Sport

Paquetas i dështon kalimi te City për shkak të hetimeve për baste

Lucas Paqueta

Lëvizja e Manchester Cityt për të transferuar Lucas Paquetan nga West Ham Unitedi është e pamundur për shkak të një hetimi të basteve ndaj mesfushorit brazilian nga Federata e Futbollit të Anglisë (FA). Një marrëveshje prej 90 milionë eurosh ishte rënë dakord në parim javën e shkuar mes klubeve, përpara se West Ham Unitedi të informohej të mërkurën se Paqueta ishte subjekt i një hetimi për shkelje të supozuar të rregullores së federatës angleze në lidhje me bastet.

Kishte një shans shumë të vogël të premten në mëngjes që transferimi të mund të vazhdonte ende, por tani nuk ka asnjë perspektivë që kjo të ndodhë. Burimet pranë marrëveshjes shpresojnë se transferimi i Paquetas në City mund të ndodhë ende në janar, edhe pse kampioni i Anglisë ka tërhequr tërësisht interesimin për reprezentuesin e Brazilit. 25-vjeçari do të intervistohet nga FA si pjesë e hetimit dhe ai mohon çdo akuzë.

Hetimi i FA-së për Paquetan është përqendruar në tre kartonët e verdhë që atij iu dhanë në këto ndeshje të Premier Leagues këtë vit: West Ham – Aston Villa (12 mars), West Ham – Leeds (21 maj) dhe Bournemouth – West Ham (12 gusht). Hetimi filloi kur një numër më i madh se zakonisht bastesh u vendosën në Brazil për Paquetan që të merrte një karton të verdhë në ndeshjen në shtëpi të West Ham Unitedit kundër Aston Villas më që përfundoi 1:1. Paqueta u ndëshkua me kartontë verdhë nga gjyqtari Chris Kavanagh në minutën e 70-të për një ndërhyrje ndaj John McGinn.

Në ndeshjen kundër Leeds, Paqueta u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 65-të nga gjyqtari Peter Bankes për një ndërhyrje të vonshme ndaj Crysensio Summerville. Në ditën e hapjes së këtij edicioni, Paqueta mori një karton të verdhë në minutën e 93-të nga arbitri Bankes për shtyrje të kundërshtarit. Bastet u vendosën nga llogaritë e regjistruara në emrin e Paquetas, në një ishull pranë Rio de Janeiros, por bastet nuk u vendosën nga Paqueta dhe ai mohon gjithçka. Në të vërtetë, Paqueta insiston se kurrë nuk ka vënë baste vetë dhe se është i tronditur nga akuzat ndaj tij. Bastet iu raportuan Shoqatës Ndërkombëtare të Integritetit të Basteve, e cila njoftoi FIFA-n dhe FA-në. Një zëdhënës i FIFA-s, nuk ka dashur të flasë në lidhje me këto hetime, të cilat ende nuk janë konfirmuar edhe nga FA.

“Si një politikë e përgjithshme, ne nuk komentojmë nëse janë duke u zhvilluar hetime për raste të tilla të supozuara”, u shpreh zëdhënësi i FIFA-s.

Hetimet ndaj tij, kanë bërë që 25-vjeçari të përjashtohet edhe nga Përfaqësuesja e Brazilit. Në fakt, Paqueta nuk është ftuar fare për ndeshjet që Brazili i luan në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026 muajin tjetër, kundër Perusë dhe Bolivisë.

“Paqueta ishte në listë, ai është një lojtar që më pëlqen shumë. Është koha që ai t'i zgjidhë këto çështje. Njerëzit kanë nevojë për kohë për të zgjidhur këto çështje dhe për këtë arsye e kam larguar nga lista. Ai është një lojtar që e dua, kam përshtypjet më të mira për të”, ka thënë trajneri i përkohshëm i Brazilit, Fernando Diniz.

Paqueta pritet të luajë për ndeshjen e West Hamit në udhëtim te Brightoni, e cila luhet të dielën në kuadër të xhiros së tretë në Premier League. Paqueta, i cili ka edhe katër vjet të mbetura në kontratën e tij me West Ham Unitedin, u ndëshkua nëntë herë me karton të verdhë për klubin dhe Brazilin edicionin e kaluar. Pavarësisht hetimit, Paqueta ishte startues dhe shënoi gol në fitoren 3:1 të së dielës në shtëpi ndaj Chelseat, me trajnerin David Moyes, që u shpreh i kënaqur me paraqitjen e tij pas një jave të vështirë. Në të vërtetë, Paqueta është ndëshkuar me karton të verdhë edhe në ndeshjen ndaj Chelseat. Pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani në Premier League, West Hami ka tubuar katër pikë.

“Të gjithë tifozët e brohoritnin emrin e tij, sepse ata i dinë aftësinë e tij dhe atë që ai sjell ekipit. Ai është një lloj lojtari që na mundëson të kemi avantazh ndaj kundërshtarit. Ai është një lojtar vërtet i mirë, një djalë që punon shumë dhe mendoj se ai luajti shkëlqyeshëm, siç bën zakonisht”, tha Moyes.

Paqueta luan në futbollin evropian prej janarit të vitit 2019 kur iu bashkua skuadrës së Milanit nga Flamengo në Brazil. Megjithatë, mesfushori nuk arriti të adaptohet në Itali dhe në verën e vitit 2020 u largua nga Milani për t’u transferuar në Francë, te Lyoni. Paraqitjet e mira te Lyoni, i siguruan atij kalimin te West Hami verën e shkuar për 43 milionë euro. Në edicionin e tij të parë te West Hami, Paqueta shënoi 5 gola dhe bëri 7 asistime në 43 paraqitje në të gjitha garat. Madje, me West Hamin, ai triumfoi në Ligën e Konferencës edicionin e shkuar. Në rast se Paqueta shpallet fajtor, atëherë e pret një dënim i rëndë. Ivan Toney, sulmuesi i skuadrës së Brentfordit, u pezullua nga futbolli për tetë muaj pasi pranoi 232 akuza për shkeljen e rregullave të basteve të FA këtë vit dhe nuk do të kthehet në fushë deri në muajin janar të vitit të ardhshëm.