Sport

Orari i vështirë po e pengon punën e Lampardit te Chelsea

Frank Lampard insiston se orari i vështirë dhe i ngjeshur i ndeshjeve të Chelseat po dëmton përpjekjen e tij për t’i zgjidhur problemet e ekipit nga Londra.

Lampard është në krye të Chelseat deri në fund të edicioni. Ikona e klubit londinez u kthye në krye të ekipit për ta zëvendësuar Graham Potterin e shkarkuar javën e kaluar. Por trajneri 44-vjeçar ka pasur kohë të kufizuar për të punuar me lojtarët në fushën stërvitore në një periudhë gjatë së cilës Chelsea luan katër ndeshje në 11 ditë. Lampard punoi me skuadrën për herë të parë 24 orë përpara humbjes 1:0 të së shtunës së kaluar nga Wolverhamptoni. Më pas të martën fluturoi për në Spanjë për disfatën 2:0 ndaj Real Madridit në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Chelsea u kthye në orët e hershme të së enjtes dhe të shtunën do të përballet me Brightonin në stadiumin “Stamford Bridge” në kuadër të Premier Leagues, teksa kërkon t’i japë fund një serie prej katër ndeshjesh pa shënuar gol.

Është kjo ecuria më e gjatë pa gola e ekipit nga Londra perëndimore që nga viti 1993 dhe që ka konfirmuar problemet me të cilat përballet Lampard. Mirëpo ai këmbëngul se problemi i golave ​​mund të zgjidhet vetëm përmes stërvitjes.

“E kuptova problemin e ekipit përpara se të vija. Përpjekja për ta trajtuar është detyra jonë sigurisht, por nuk po kam kohë të mjaftueshme për të punuar me ekipin. Unë kam besim në këtë dhe besoj se shumë shpejt do t’u kthehemi golave”, pranoi Lampard të premten. “Realiteti është një punë që duhet ta përsërisim në fushën stërvitore. Kjo është çështje me urgjencë për shkak se na duhet një ide se si të sulmojmë. Por, puna është se stërvitje nuk kemi mjaftueshëm. Nuk mund t’i ngarkosh lojtarët edhe më shumë kur i luan tri ndeshje në gjashtë ditë”.

Lampard thotë se prej se u kthye në krye të Chelseat po punon kryesisht me lojtarët e rinj dhe për këtë arsye nuk po arrin ta implementojë lojën e tij.

“Duhet të integrojmë edhe përforcimet në ekip, por ky nuk është proces që bëhet brenda natës. Në stërvitje kryesisht kam lojtarë të rinj. Nuk po mundemi të punojmë dhe jemi në një periudhë kur e kemi orarin e ngjeshur dhe shumë të vështirë. Idetë që i kam biseduar me lojtarët duhet t’i bëjmë në stërvitje, por nuk e di kur do të mundemi t’i bëjmë”, është shprehur Lampard.

Pierre Emerick-Aubameyang mund të jetë një zgjidhje për çështjen e golit te Chelsea, pasi sulmuesi u aktivizua kundër Wolvesit. Lampard insiston se llogarit në Aubameyangun, i cili ishte pothuajse i harruar nga Potteri.

“Auba është pak si të gjithë në skuadër tani, pasi nuk ka luajtur shumë dhe i mungon ritmi. Ai duhet të kthehet gradualisht dhe të dëshmoj se është i denjë për një vend. Sigurisht që ai ka bilanc fantastik të golave, kështu që do të shohim. Shpresoj të na ndihmojë të kthehemi te golat”, tha Lampard.

Lampard konfirmoi se lëndimi i pësuar nga qendërmbrojtësi i Senegalit, Kalidou Koulibaly, ndaj Real Madridit, do ta mbajë atë jashtë fushës për disa javë.

Lampard ishte në krye të Chelseat prej vitit 2019 deri në vitin 2021, përpara se të shkarkohej për ta marrë drejtimin e Evertonit. Këtë sezon, Chelsea ka pasur rezultate jo stabile përkundër investimeve të mëdha që i ka bërë. Zë vendin e 11-të në Premier League me 39 pikë të mbledhura.