Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Misioni shumë i vështirë i Chelseat në Champions – eliminimi i Realit

Liga e Kampioneve

Trajneri Frank Lampard po e kërkon fitoren e parë pas kthimit te Chelsea, që do të mund të ishte më e rëndësishmja e klubit londinez këtë edicion. Prejse është kthyer te Chelsea, si trajner i përkohshëm, Lampard nuk di për fitore. Chelsea ka tri ndeshje të luajtura me Lampardin në stol.

Të gjitha ndeshjet nën drejtimin e tij Chelsea i ka humbur, por ish-mesfushori i Anglisë po shpreson në fitoren e parë që do të mund të ishte madhështore për londinezët. Lampard po synon ta mposhtë dhe ta eliminojë skuadrën e Real Madridit në Ligën e Kampionëve.

Chelsea e pret Realin në “Stamford Bridge” për ndeshjen e kthimit të fazës çerekfinale. Javën e shkuar Chelsea u mposht 2:0 në Madrid, ndërsa të martën prej orës 21:00 kërkon revanshin ndaj kampionit në fuqi të Evropës.

Chelsea ka pasur edicion të vështirë përkundër investimeve të mëdha që i ka bërë. Në kampionat zë vendin e 11-të në tabelë dhe eliminimi eventual nga Reali do të thoshte se londinezët nuk do të luajnë sezonin e ri në Champions. Megjithatë, Lampard është shprehur optimist në konferencën për shtyp të hënën, duke insistuar se gjithçka është e hapur dhe se ekipi i tij mund ta tejkalojë Realin.

“Pa dyshim që përkrahja e tifozëve tanë do të jetë pozitive për ekipin në këto momente të vështira. Me përkrahjen e madhe besoj se do të kemi paraqitje më të mirë dhe do të luajmë me dëshirë të madhe për t’i kthyer gjërat në favorin tonë. Publiku mund të na ndihmojë shumë në këtë mision të vështirë, por jo të pamundur”, është shprehur Lampard. “Çdo gjë është e mundur, gjithçka është e hapur. Ne jemi ekip që nuk dorëzohemi dhe meritojmë të luajmë në këtë garë. E kemi parasysh që kundërshtari është i nivelit të lartë, por jemi gati të përballemi me të dhe të tregojmë forcën tonë. Madrilenët kanë një trajner të madh të cilin e njoh mirë pasi kam punuar me të. Jemi përgatitur dhe jemi plotësisht gati për këtë ndeshje të madhe dhe speciale”.

Edhe Ancelotti kthehet në stadiumin ku la gjurmë të pashlyeshme Sport Ancelotti kthehet në stadiumin ku la gjurmë të pashlyeshme

Në prag të ndeshjes Lampard ka marrë një lajm të mirë. Tre futbollistë që ishin të lënduar kanë stërvitur me ekipin dhe janë plotësisht të gatshëm për lojë. N’Golo Kante, Kai Havertz dhe Thiago Silva pritet të jenë titullarë ndaj Realit, pasi munguan në humbjen nga Brightoni fundjavën e shkuar. Megjithatë, mungesë e madhe për Chelsean do të jetë ajo e qendërmbrojtësit Kalidou Koulibaly, që është i lënduar dhe nuk mund ta ndihmojë ekipin. Londinezëve i mungon edhe Ben Chilwell, i cili u ndëshkua me karton të kuq në duelin e parë.

Optimizmin para ndeshjes me Real Madridin e ka shprehur edhe portieri i Chelseat, Kepa Arrizabalaga, i cili u paraqit përkrah trajnerit Lampard në konferencën për shtyp. Kepa ka insistuar se ai me bashkëlojtarët e kanë parasysh se çfarë duhet të bëjnë për të avancuar tutje. Sipas tij, Chelsea dëshiron të luajë në gjysmëfinale dhe për këtë arsye do të japë gjithçka nga vetja në duelin e kthimit për ta eliminuar Real Madridin.

Reali e pati eliminuar Chelsean në këtë fazë të Championsit sezonin e shkuar.

“Përfundimisht duhet të bëjmë një paraqitje më të mirë se në Madrid. Duhet ta kontrollojmë ndeshjen, ta mbajmë topin dhe të krijojmë më shumë raste. Vetëm në këtë mënyrë mund të shënojmë gola dhe ta fitojmë ndeshjen. Nuk do të jetë lehtë, por mendoj se na duhet të bëjmë paraqitjen më të mirë të jetës. Duhet të luajmë në nivel të lartë për ta eliminuar Realin dhe për të avancuar tutje”, është shprehur Kepa. “Asgjë nuk ka përfunduar dhe këtë herë besoj se do të na ndihmojnë shumë edhe tifozët duke krijuar atmosferë të mirë për ta nxjerrë më të mirën prej nesh në fushë”.

Real Madridi po lufton për ta mbrojtur trofeun e fituar vitin e shkuar në Champions. Synon po ashtu Kupën e Spanjës. Këto janë garat ku Reali mund të fitojë trofe, pasi në La Liga ka ngecur prapa Barcelonës, e cila e mposhti edhe në Superkupën e Spanjës.

Reali pritet të jetë i kompletuar për ndeshjen e kthimit ndaj Chelseat, të cilën synon ta fitojë dhe të mos bazohet shumë në rezultatin e ndeshjes së parë. Kështu ka insistuar portieri i Realit, Thibaut Courtois.

Edhe Orari i vështirë po e pengon punën e Lampardit te Chelsea Sport Orari i vështirë po e pengon punën e Lampardit te Chelsea

“Kemi një ndeshje të vështirë ndaj Chelseat, por duhet të bëjmë të pamundurën ta fitojmë dhe të kalojmë në gjysmëfinale. Për një klub si Reali, Liga e Kampionëve është një garë shumë e rëndësishme, por që duhet fituar”, është shprehur Courtois. “Jemi në avantazh prej ndeshjes së parë, por nuk do të bazohemi shumë në atë rezultat. Duhet të bëjmë një paraqitje të mirë edhe në Londër, në mënyrë që të tregojmë synimet tona të mëdha që i kemi”.

Të martën do të zhvillohet edhe një ndeshje tjetër çerekfinale. Pas fitores minimale 1:0 që e arriti javën e shkuar në “San Siro”, Milani do të luajë në stadiumin “Diego Armando Maradona” me Napolin, që kërkon kalimin në gjysmëfinale. Napoli i ka humbur dy ndeshjet e fundit nga Milani. Ishte mposhtur 4:0 në kuadër të Serie A, por për duelin e kthimit në çerekfinale do ta ketë në përbërje sulmuesin kryesor. Nigeriani Victor Osimhen, i cili mungoi në ndeshjen e parë për shkak të lëndimit, është rikuperuar dhe do të luajë prej fillimit. Ndërkohë te Milani mbetet në dyshim sulmuesi i Francës, Olivier Giroud, që për shkak të lëndimit në nyjën e këmbës nuk është stërvitur të hënën.

“Kthimi i Osimhenit na jep entuziazëm dhe optimizëm për një paraqitje të mirë në shtëpi”, ka thënë trajneri i Napolit, Luciano Spalletti, për sulmuesin që ka shënuar 25 gola në 30 ndeshje.

Napolit, që po luan për herë të parë në këtë fazë të Championsit, për duelin e kthimit i mungojnë mesfushori Zambo Anguissa dhe mbrojtësi Kim Min-jae për shkak të suspendimit.

E martë (21:00)

Chelsea – Real Madrid (0:2)

Edhe Fokusi te trajnerët në përballjen e Championsit në “Santiago Bernabeu” Sport Fokusi te trajnerët në përballjen e Championsit në “Santiago Bernabeu”

Napoli – Milan (0:1)

*Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para çerekfinale