Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Reali shpreson për një tjetër natë magjike ndaj Chelseat

Sikurse edicionin e kaluar, edhe tani te Real Madridi po shpresojnë në një natë magjike ndaj Chelseat, në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Këto dy skuadra u patën përballur në këtë fazë edhe në kampanjën e kaluar, në të cilën Real Madridi eliminoi Chelsean për të triumfuar në fund në garën elitare evropiane.

Reali fitoi me rezultatin e përgjithshëm 5:4, falë “hat-trickut” të Karim Benzemas në ndeshjen e parë të luajtur në Londër. Këtë herë dueli i parë çerekfinal do të luhet në stadiumin “Santiago Bernabeu” në Madrid, të mërkurën prej orës 21:00.

Madrilenët në këtë sfidë futen pas humbjes nga Villarreali në kuadër të La Ligas, ndeshje në të cilën trajneri Carlo Ancelotti kishte bërë disa ndryshime, në mënyrë që t’i mbante të freskët mesfushorët Toni Kroos e Luka Modriq për duelin me Chelsean. Edhe Chelsea vjen nga humbja në Premier League, të cilën e pësoi nga Wolverhamptoni (1:0). Ndeshja me Realin do të jetë vetëm e dyta në krye të ekipit për trajnerin e përkohshëm Frank Lampard.

Pavarësisht investimeve të mëdha, Chelsea këtë sezon nuk ka pasur rezultate të mira, ku në kampionat zë vendin e 11-të. Trajnerit të Realit, italianit Ancelotti i vie keq ta shohë Chelsean në këtë gjendje, ekip me të cilin kishte fituar titullin e kampionit të Anglisë dhe Kupën FA në sezonin 2009/2010.

“Ndihem keq kur e shoh pozitën e Chelseat në tabelë, pasi kam kujtime fantastike me këtë klub dhe njerëzit që ende punojnë aty. Unë jam përkrahës i Chelseat pasi kam punuar dy vjet në klub, por tani kam një mision tjetër”, është shprehur Ancelotti të martën në konferencën për shtyp.

Edhe Ancelotti flet për të ardhmen pas eliminimit nga Championsi Futboll Ancelotti flet për të ardhmen pas eliminimit nga Championsi

Ancelotti ka paralajmëruar ekipin e tij që të tregohet i kujdesshëm ndaj Chelseat, kundërshtar me të cilin është përballur në fazën nokaut të Championsit dy sezonet e fundit dhe ka shënuar dy fitore në katër ndeshje. Ai ka kërkuar nga Reali që të sigurojë rezultat të favorshëm në shtëpi.

“Kemi vuajtur shumë sezonin e shkuar. Ne duhet ta respektojmë Chelsean, pasi ka lojtarë shumë të mirë edhe pse nuk është në momentet më të mira këtë sezon. Por, është një ekip i nivelit të lartë që do të jetë i motivuar për të shkuar larg nga Ligën e Kampionëve. Ndeshja e parë nuk është vendimtare, por është e rëndësishme të krijojmë një avantazh për duelin e kthimit”, është shprehur Ancelotti. “Ekipi po ndihet mirë, është optimist dhe i motivuar maksimalisht për të luajtur sërish në Champions. Personalisht, shpresoj të kemi një tjetër natë magjike”.

Reali po synon trofeun e gjashtë në dhjetë sezonet e fundit në Champions, ndërsa në ndeshjet e fundit ka dhënë shenja jete duke shënuar 12 gola në tri duele. Madje mesjavën e shkuar e mposhti Barcelonën në gjysmëfinale të Kupës së Spanjës me rezultatin bindës 4:0 për t’u kualifikuar në finale të kësaj gare për herë të parë që nga viti 2014.

Një paraqitje të madhe të ekipit në duelin e parë ndaj Chelseat e pret edhe mbrojtësi austriak David Alaba, i cili u paraqit përkrah Ancelottit në konferencën për shtyp.

“Ne kurrë nuk i nënvlerësojmë kundërshtarët tanë. E kemi parasysh se Chelsea është ekip i madh dhe nuk do të jetë lehtë për ne. Por, ne do t’iu bëjmë presion prej fillimit të ndeshjes, pasi si vendas duhet patjetër të fitojmë. Është një ndeshje speciale para tifozëve tanë, të cilët duam t’i gëzojmë”, ka shtuar Alaba.

Te Chelsea, Frank Lampard ka motivuar ekipin për ta tejkaluar Real Madridin dhe për t’u kualifikuar në gjysmëfinale. Më pas do të kishte mundësi të mirë për ta fituar trofeun e tretë në histori të klubit. Lampard e ka shijuar suksesin në Champions si lojtar, duke e fituar trofeun e parë me Chelsean në vitin 2012 dhe shpreson në një përsëritje të triumfit sikur para 11 vjetëve.

“Janë bërë shumë ndryshime në ekip, por kjo nuk është arsyetim për shkak se duhet të dalim në fushë dhe të japim gjithçka nga vetja për të avancuar tutje. Pres një ekip agresiv, i cili do të bëjë një paraqitje madhështore kundër kampionit në fuqi të Evropës, gjë që nuk do të jetë aspak lehtë. Megjithatë, jemi të motivuar dhe kam kërkuar nga ekipi që ta përsërisim suksesin e vitit 2012”, është shprehur Lampard.

Edhe Madridi synon përmbysjen e madhe Futboll Madridi synon përmbysjen e madhe

Për rezultat të favorshëm ndaj Realit, Lampard do të mbështetet shumë në sulmuesin e krahut, Raheem Sterling. Sterling ka shënuar vetëm shtatë gola këtë edicion, por realizoi golin e rëndësishëm në eliminimin e Borussia Dortmundit në ndeshjen e kthimit në kuadër të 1/8 së finales. Lampard beson se Sterling do të ketë ndikim pozitiv në ekip edhe në çerefkinale.

“Ai është njëri për lojtarëve të krahut më të mirë në botë dhe besoj se do të na ndihmoj shumë për një rezultat të mirë. Në përgjithësi jemi optimist sa i përket këtij dueli”, shtoi Lampard.

Të mërkurën prej orës 21:00 zhvillohet edhe ndeshja tjetër çerekfinale, ku përballen skuadrat rivale nga Serie A, Milani dhe Napoli. Dueli i parë do të luhet në stadiumin “San Siro”, ndërsa Napoli do të ketë mungesë të madhe. I mungon sulmuesi kryesor, Victor Osimhen, i cili ende nuk është rikuperuar nga lëndimi. Sulmuesi 24-vjeçar këtë sezon ka shënuar 25 gola në 29 paraqitje në të gjitha garat.

Në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, Milani ka fituar vetëm një herë dhe atë në Serie A kundër Napolit me rezultatin 4:0. Për Napolin është hera e parë që po paraqitet në këtë fazë të garave në Champions, ndërsa Milani nuk ka qenë në çerekfinale prej vitit 2012.

“Liga e Kampionëve nuk ka të bëjë asgjë me Serie A, kështu që tani bëhet fjalë për dy ndeshje krejtësisht tjera. Prandaj, duhet të jemi të fokusuar dhe të përpiqemi të bëjmë paraqitje si në duelin e fundit”, ka thënë trajneri i Milanit, Stefano Pioli.

E mërkurë (21:00)

Edhe Tjetër superndeshje në Madrid Futboll Tjetër superndeshje në Madrid

Real Madrid – Chelsea

Milan – Napoli