Sport

Fokusi te trajnerët në përballjen e Championsit në “Santiago Bernabeu”

Ndeshja ndërmjet Real Madridit dhe Chelseat në Ligën e Kampionëve do t’i vërë në qendër të vëmendjes trajnerët e këtyre dy skuadrave. Chelsea do të udhëtojë për ndeshjen e parë çerekfinale të mërkurën në Madrid, me Frank Lampardin, që është në kërkim të fitores së parë prejse u emërua trajner i përkohshëm i ekipit nga Londra. Ndërkohë, Reali Madridi do të luajë i rrethuar nga dyshimet për të ardhmen e trajnerit Carlo Ancelotti për të cilin ka spekulime se do ta marrë drejtimin e Përfaqësueses së Brazilit.

Rezultati i ndeshjes mund të ndihmojë Lampardin të marrë një punë të përhershme te Chelsea, ose të ndikojë në vendimin e Ancelottit nëse do ta pranojë punën në Brazil.

Chelsea zgjodhi Lampardin për ta zëvendësuar Graham Potterin dhe humbi ndeshjen e parë me të në stol. Pësoi në Premier League fundjavën e shkuar. Skuadra londineze hyn në sfidën në stadiumin “Santiago Bernabeu” me një seri prej katër ndeshjesh pa fitore. Ka fituar vetëm dy nga 11 ndeshjet e fundit në Premier League, ku ndodhet në vendin e 11-të në tabelë.

“Ne kemi një mundësi kundër një skuadre fantastike dhe thjesht duhet të përpiqemi të shfrytëzojmë sa më shumë nga rastet që do të krijojmë. Do të dalim me besim të plotë, përndryshe do të dështojmë”, tha Lampard, ish-mesfushori i Chelseat, i cili gjithashtu ishte trajner i ekipit nga viti 2019 deri në vitin 2021.

Ancelotti dhe Reali futen në këtë përballje pas humbjes 2:1 nga Villarreali. Kjo disfatë ia shoi Realit thuajse të gjitha shpresat për ta fituar titullin e kampionit në La Liga, pasi ka mbetur dhjetë pikë prapa Barcelonës kur kanë mbetur edhe 10 xhiro deri në fund të edicionit. Fokusi i Realit tani është vendosur në Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Spanjës, garë në të cilën ka arritur në finale dhe do të përballet muajin tjetër me Osasunan.

Ancelotti ka thënë se dëshiron të mbetet në krye të Realit deri në fund të kontratës, që i skadon vitin tjetër, por ka pranuar se ndihet tejet i nderuar që Brazili po interesohet për të. Përfaqësuesja braziliane është me selektor të përkohshëm prejse ka përfunduar Botërori “Katari 2022” dhe po dëshiron ta angazhojë sa më shpejt që është e mundur trajnerin e përhershëm. Dy fituesit e fundit të Ligës së Kampionëve, Reali dhe Chelsea, janë mësuar të përballen mes veti në fazat nokaut të kësaj gare. Reali eliminoi Chelsean sezonin e shkuar në çerekfinale për ta fituar trofeun e 14-të në Champions. Ndërsa, një edicion më herët, Chelsea e tejkaloi Realin në gjysmëfinale për ta siguruar finalen dhe trofeun e dytë në histori.

Chelsea e eliminoi Realin me rezultatin e përgjithshëm 3:1 në sezonin 2020/21, ndërsa madrilenët avancuan tutje edicionin e shkuar me rezultatin e përgjithshëm 5:4. Reali po kërkon kalimin në gjysmëfinale për herën e 11-të në 13 sezone, ndërsa Chelsea është paraqitur në mesin e katër ekipeve më të mira vetëm një herë që nga edicioni 2013/14. Reali i ka fituar gjashtë nga tetë ndeshjet e Ligës së Kampionëve këtë edicion. Chelsea ka pesë fitore, një barazim dhe dy humbje.

Ancelotti do t’i ketë në dispozicion pothuajse të gjithë futbollistët, me përjashtim të mbrojtësit të krahut të majtë, Ferland Mendy, që ende nuk është rikuperuar nga lëndimi. Mesfushorët Mason Mount dhe N’Golo Kante nuk luajtën në ndeshjen e fundit të Chelseat në Premier League, por këtë javë stërviten me pjesën tjetër të ekipit dhe janë përfshirë nga Lampardi për duelin e parë në Spanjë.