Chelsea ka njoftuar të enjten se Frank Lampard do ta marrë drejtimin e klubit si trajner i përkohshëm deri në fund të sezonit.
Anglezi do ta zëvendësojë Graham Potterin e shkarkuar.
Lampard shijoi karrierë të gjatë si lojtar te Chelsea. Është golashënuesi më i mirë në historinë e klubit. Madje, për dy sezone ishte edhe trajner. U shkarkua shkaku i rezultateve të dobëta në vitin 2021. Më pas, ishte në krye të Evertonit deri në janar të këtij viti kur u shkarkua për shkak të rezultateve të dobëta.
Lampard të enjten ka nisur stërvitjet me Chelsean, ndërsa në krye të ekipit do të debutojë të shtunën në ndeshjen kundër Wolverhamptonit.
Chelsea është larg synimeve në Premier League. Është eliminuar në të dy kupat. Por është në garë për fitimin e Ligës së Kampionve, ku takohet me Real Madridin.